Platforma “Liria Ka Emër” e vlerëson si jashtëzakonisht shqetësues raportin e organizatës prestigjioze ndërkombëtare “Bar Human Rights Committee of England & Wales”, një trup me reputacion kredibil në mbrojtjen e standardeve ndërkombëtare të drejtësisë dhe të të drejtave të njeriut.
Ky raport nuk është produkt i qëndrimeve politike apo i narrativave emocionale, por i analizës profesionale të juristëve dhe ekspertëve të pavarur, të cilët kanë shqyrtuar funksionimin e Dhomave të Specializuara në raport me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe standardet universale të gjykimit të drejtë.
Gjetjet për shkeljet e të drejtave të njeriut, paraburgimin e zgjatur, pabarazinë e dukshme mes palëve dhe devijimet procedurale nuk mund të trajtohen si çështje të dorës së dytë. Ato përbëjnë sinjale serioze për një proces që e ka humbur balancën themelore të drejtësisë së paanshme.
Është e papranueshme që standardet bazë të një gjykimi të drejtë të vihen në pikëpyetje, veçanërisht kur bëhet fjalë për procese që prekin figurat kyçe të historisë së luftës sonë çlirimtare. Çdo perceptim i ndikimit politik apo selektivitetit në drejtësi e dëmton rëndë besimin publik dhe vetë legjitimitetin e procesit gjyqësor.
“Liria Ka Emër” thekson se mbrojtja e drejtësisë nënkupton edhe mbrojtjen e parimeve themelore mbi të cilat qëndron një sistem i drejtë gjyqësor. Kur këto parime cenohen, nuk dëmtohen vetëm të gjykuarit, por vetë sistemi i drejtësisë. Prandaj, kërkohet me qartësi që Dhomat e Specializuara të veprojnë me transparencë të plotë, paanshmëri dhe respekt të pakushtëzuar të të drejtave të njeriut, duke larguar çdo dyshim për ndikim të jashtëm apo qasje të njëanshme.
“Liria Ka Emër” thekson se vetëm një drejtësi e tillë mund të rikthejë besimin e qytetarëve dhe të garantojë se e vërteta historike po trajtohet me dinjitet dhe profesionalizëm.






