Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka folur në “Edicionin Special” të Klan Kosovës lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Hoxhaj ka deklaruar se PDK-ja vazhdon të konsiderojë se Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli nuk duhet të trajtohen vetëm si ish-pjesëtarë të partive politike, por edhe si udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ne edhe më tutje mendojmë që Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e Kadri Veseli, të gjithë të cilët po mbahen në Hagë, nuk janë vetëm si anëtarë të partive politike. Ata janë udhëheqës të UÇK-së. Aktgjykimi e ka goditur jo vetëm historinë e Kosovës, e ka goditur Pavarësinë e Kosovës, e kriminalizon çdo gjë për të cilën ne kemi qëndruar si popull historikisht”, është shprehur ai.
Hoxhaj u shpreh se është detyrë e çdo qeverie, që siç deklaroi, në çdo formë ta miratojë një ligj të tillë.
“Prandaj edhe është detyrë e çdo qeverie që në çdo formë ta miratojë një ligj të tillë. Personalisht, unë kam qenë për atë që ligji jo vetëm të miratohet, por ta shfuqizojmë ligjin për Gjykatën Speciale dhe ta anulojmë marrëveshjen me Holandën”, deklaroi Hoxhaj.






