Lewandowski konfirmon largimin e tij nga Barcelona

- Advertisement -

E ardhmja e Robert Lewandowskit te Barcelona vazhdon të mbetet e paqartë, ndërsa sulmuesi polak ka lënë të kuptohet se mund të largohet nga “Camp Nou” gjatë kësaj vere dhe ta vazhdojë karrierën diku tjeter.

Një nga sulmuesit më të mirë në Evropë gjatë dy dekadave të fundit, Lewandowski pranoi publikisht se po shqyrton mundësinë për të ndryshuar ambient dhe për të luajtur në një kampionat më të dobët, teksa afrohet drejt fundit të karrierës së tij profesionale.

Deklaratat e sulmuesit erdhën gjatë festimeve të titullit kampion pas fitores së Barcelonës ndaj Real Madridit, ku ai nuk e fshehu faktin se aventura e tij me fanellën blaugrane mund të jetë drejt fundit.

“Ekziston një opsion në një ligë më të dobët. Jam pothuajse 38 vjeç, por ndihem mirë fizikisht, kështu që po e shqyrtoj këtë mundësi. Duhet ta marr parasysh se ndoshta është koha për të luajtur dhe për të shijuar jetën”, deklaroi sulmuesi polak.

Sipas raportimeve të mediave spanjolle, sulmuesi veteran është lidhur me një transferim të mundshëm te skuadra amerikane Chicago Fire, e cila thuhet se po monitoron situatën e tij dhe është e interesuar ta transferojë në MLS.

Ndërkohë, pasiguria për të ardhmen e tij te Barcelona është shtuar edhe më shumë pas raportimeve se klubi katalanas i ka ofruar një zgjatje kontrate, por me kushte të reja financiare dhe me pagë më të ulët.

Sulmuesi polak ka qenë një nga figurat kryesore të Barcelonës që nga transferimi i tij nga Bayern Munich, duke kontribuar me gola dhe eksperiencë në rikthimin e klubit katalanas në majat e futbollit spanjoll.

Megjithatë, me afrimin e fundit të karrierës së tij dhe ndryshimet që priten në skuadër, e ardhmja e tij në “Camp Nou” mbetet ende e hapur.

Të ngjashme

Të fundit