Letra që pretendon një plan të grupit të Lumir Abdixhikut për votimin në Kuvendin e LDK-së

- Advertisement -

 

Në adresë të Gazetës Insajderi ka ardhë një letër që pretendohet se përmban udhëzime për mënyrën e votimit në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të LDK-së, ku pritet të diskutohet iniciativa për shkarkimin e kryetarit, Lumir Abdixhiku.

Sipas letrës që ka siguruar Gazeta Insajderi përmës një burimi në LDK, përshkruhen tri variante të mundshme për identifikimin e votës së delegatëve, pavarësisht se votimi parashihet të jetë i fshehtë.

Varianti i parë parasheh fotografimin e fletëvotimit para se ai të hidhet në kuti. Në letër thuhet se fotografia do të shërbente si dëshmi për personat që, sipas pretendimit, kanë bërë marrëveshje paraprake lidhur me votën e tyre.

Varianti i dytë propozon përdorimin e shenjave të veçanta në fletëvotim. Sipas letrës, delegatët do të ndaheshin sipas renditjes alfabetike ose sipas degëve dhe secilit do t’i caktohej një shenjë specifike në fletëvotim, si një pikë, dy pika apo shenja të tjera, me qëllim që vota të mund të identifikohej gjatë numërimit.

Ndërkaq, varianti i tretë përshkruan vendosjen e shkronjave të mëdha në pozicione të caktuara brenda tekstit të fletëvotimit. Letra pretendon se secili delegat do të kishte një kombinim të ndryshëm, të përcaktuar sipas renditjes alfabetike ose degës, duke mundësuar identifikimin e votës pa rënë lehtësisht në sy.

Në letër thuhet gjithashtu se mungesa e ndonjë delegati do ta prishte renditjen e paracaktuar, ndërsa pretendohet se, nëse Komisioni i Kuvendit do ta korrigjonte atë renditje duke shtuar ose zhvendosur fletët, kjo do të nënkuptonte përfshirje të drejtpërdrejtë në proces.

Në fund të letrës pretendohet se varianti i parë është përdorur edhe në raste të mëhershme, ndërsa variantet e dyta dhe të treta paraqiten si alternativa kur fotografimi i fletëvotimit konsiderohet i pasigurt.

Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK’së pritet të mbahet sot nga ora 18:00. /Insajderi.org/

Të ngjashme

Të fundit