Lidhja Demokratike e Kosovës, ka shprehur shqetësimin e saj, lidhur me moskonstituimin e Kuvendit, duke thënë se, një situatë e tillë e rrezikon që ta vendosë Kosovën në paqartësi kushtetuese. LDK shton edhe se, qëndrimi i kësaj partie është i qartë, se, parlamenti duhet konstituar brenda afatit të përcaktuar nga Kushtetuesja.
LDK shton se këtë qëndrim, e ka paraqitur edhe kryetari saj Lumir Abdixhiku, dhe se, kjo parti i bën thirrje VV’së, që ta mundësojë mbajtjen e seancës konstituive sonte dhe përmbylljen e këtij procesi, përcjell Gazeta Express.
”Mosthirrja e vazhdimit të seancës sonte, brenda afatit të përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, u pamundëson deputetëve ushtrimin e mandatit të tyre në përmbushje të obligimit kushtetues për konstituimin e Kuvendit, ashtu siç është përcaktuar me aktgjykimin e muajit qershor 2025”, thuhet mes tjerash nga LDK.
Komunikata:
Deklarata e plotë:
DEKLARATË E LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS
Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e saj për moskonstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës brenda afatit të përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Një situatë e tillë rrezikon ta vendosë Republikën e Kosovës në një fazë të paqartësisë kushtetuese e mungesë të plotë të legjitimitetit institucional, dhe me pasoja të pariparueshme për funksionimin e rregullt të institucioneve dhe sigurinë juridike në vend.
Qëndrimi i LDK-së ka qenë i qartë dhe konsistent gjatë gjithë këtij procesi, Kuvendi duhet të konstituohet brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Ky qëndrim është paraqitur në çdo takim konsultativ, përfshirë edhe takimin e zhvilluar sot nga Kryetari i LDK-së.
Lidhja Demokratike e Kosovës rikujton se zbatimi i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese është detyrim kushtetues dhe se respektimi i tyre i plotë është në interes të funksionimit demokratik të Republikës.
Prandaj, LDK i bën thirrje subjektit të parë parlamentar që, në përmbushje të përgjegjësive që i takojnë në këtë proces, të mundësojë mbajtjen e seancës së konstituimit sonte dhe përmbylljen e këtij procesi brenda afatit të përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.
Mosthirrja e vazhdimit të seancës sonte, brenda afatit të përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, u pamundëson deputetëve ushtrimin e mandatit të tyre në përmbushje të obligimit kushtetues për konstituimin e Kuvendit, ashtu siç është përcaktuar me aktgjykimin e muajit qershor 2025.






