Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), të martën ka shpalosur në Mitrovicë programin për Infrastrukturë dhe Energji. Për të parën është premtuar ndërtimi i autostradave brenda mandatit, ndërsa për energji u premtuan 500 milionë euro.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë para të pranishmëve se një nga zotimet e tij do të jetë përfundimi i autostradës Mitrovicë-Prishtinë, teksa pati kritika edhe për qeverinë aktuale për “dështim në investime kapitale”.
“Qyteti i Mitrovicës ka nisur një projekt të lidhjes së Mitrovicës me Prishtinën nga 2009 dhe janë bërë 14 vite pa u realizuar. Qëllimi ynë i parë që në fillim të dalë me këtë projekt në përfundim gjëja më e thjeshtë për tu bërë është vetëm një shtrim i rrugës nuk ka nevojë as tunel asgjë. Qeveria aktuale vazhdon te ankohet që nuk na kanë lënë por është duke e pranuar që kanë dështuar. Një Qeveri që ka pasur 51 për qind të votave nuk kanë mundur ta përfundoj një rrugë për katër vite. Nuk ka asnjë arsye që të gjitha rrugët në Kosovë që kanë filluar tash e sa kohë kemi qëllim t’i përfundojmë për një vit. Duke bërë kështu lidhjen e qyteteve, për ketë bërë kemi bërë plane për mjete vetanake”, ka thënë Abdixhiku, teksa premtoi edhe përfundimin e autostradës së Gjilanit.
“Do të flas edhe për Autostradën e Anamoravës do të ketë 170 milionë euro e cila është qëllimi ynë i dytë i yni. Çështja e tretë kemi paraparë në sektorin ekonomik ndërtimin e unazës në Prishtinë. Është vetëm një kryeqytet në Evropë që nuk ka një unazë të jashtme. Ne jemi të interesuar të krijojmë projekte kapitale jetëgjate, ndërtimi i autostradave dhe rrugëve duhet të përfundojnë dhe të financohen nga buxheti i shtetit”, u shpreh Abdixhiku.
Numri një i LDK-së ka folur edhe për investimet në energji elektrike. Premtoi 500 milionë euro në energji elektrike, kryesisht përmes gazit amerikan.
“Kemi paraparë të ndërtojmë 200 vendndalje rajonale, ne kemi paraparë investime masive në energjetikë. E para është lidhja e gazifikimit të energjisë, këtu po flasim për gazin amerikan, ne duhet interesat tona strategjike të Republikës së Kosovës që transferohen gjenerata të tëra. Sot teksa vija, pashë oborre shkolla pa energji elektrike, neve na duhet investim në prodhimin e energjisë elektrike. Ky është investim 500 milionësh. Zotimi tjetër është heqja e TVSh-së në faturat e energjisë elektrike”, ka thënë kreu i LDK-së.