Në strukturën drejtuese të Ndërmarrjes Publike “Termokos” Sh.A. janë bërë disa ndryshime pas ardhjes në detyrë të Kryeshefit të ri Ekzekutiv Bersant Beka. Ende pa u kaluar një muaj nga emërimi i tij, ai ka nxjerrë vendimet për lirimin e tre drejtorëve dhe sistemimin në pozita të tjera brenda ndërmarrjes.
Me datë 30 tetor 2026, është liruar nga pozita e Drejtorit të Departamentit të Administratës z. Bekim Gashi, i cili këtë pozitë e ka ushtruar që nga viti 2023. I njëjti tani është caktuar si Inspektor për Siguri dhe Shëndet në Punë, në kuadër të të njëjtit departament. Me këtë vendim, Gashi është ulur nga një pozitë e nivelit drejtues në një pozitë të nivelit më të ulët në hierarkinë organizative të ndërmarrjes, duke ndryshuar ndjeshëm statusin e tij profesional, si dhe natyrën dhe nivelin e përgjegjësive që kishte ushtruar deri më tani.
Ndërkaq, Driton Hyseni, i cili në vitin 2024 kishte filluar angazhimin në ndërmarrje si Ndihmës i Drejtorit të Departamentit të Distribuimit dhe më pas, përmes një konkursi të brendshëm, ishte përzgjedhur Drejtor i Departamentit për Zhvillim dhe Investime Kapitale. Tani ai është liruar nga pozita drejtuese dhe është caktuar në pozitën e Inxhinierit të Projektimit dhe Mbikëqyrjes së Punëve Makinerike.
Nga këto ndryshime është prekur edhe Raif Vitija, i cili ka një përvojë 27 vjeçare në “Termokos”. Vitija, përveç pozitës së Drejtorit të Departamentit të Furnizimit, ka mbajtur edhe pozitën e Ushtruesit të Detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv deri në emërimin e Bersant Bekës. Ai tashmë është caktuar në pozitën e Koordinatorit për Projektim dhe Mbikëqyrje të Projekteve në Departamentin për Investime Kapitale.
Këto vendime mendohet janë nxjerrë pa respektuar procedurat e nevojshme të përcaktuara nga ligji dhe nga rregulloret e brendshme të Termokos, duke pretenduar në ‘performancë të pakënaqshme’ në kryerjen e detyrave specifike, të cilat shpeshherë nuk kanë qenë fare detyra të departamenteve që tani të larguarit i udhëhiqnin. Te tre ish udhëheqësit e larguar i përkasin familjeve të respektuara në rrethinën e Prishtinës dhe që të tre janë të njohur për afërsinë e tyre me partinë LDK e cila udhëheq me Kryeqytetin. Në anën tjetër kryeshefi i ri Bersant Beka ka qenë shef i kabinetit të ish ministrit të shëndetësisë Armend Zemaj.
Në vazhdën e ndryshimeve në ndërmarrje, bordi i drejtorëve ka larguar nga puna edhe zyrtarin kryesor financiar Arton Shabani.
Bordi i drejtorëve përbëhet nga kryesuesja Sytrime Dervisholli dhe anëtarët Nafije Selimi, Kushtrim Zheiqi dhe Ardian Fazliu. Ndërsa aksionar të ndërmarrjes janë Bekim Gashi, Egzon Pacolli dhe Florian Dushi.






