Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas incidentit të dhunshëm në Skenderaj, duke dënuar ashpër, siç e ka quajtur, “dhunën politike” dhe klimën e gjuhës së urrejtjes në vend.
LDK-ja ka shprehur shqetësim për, sipas saj, përhapjen e kërcënimeve, linçimeve dhe “terrorit digjital”, duke theksuar se retorika përçarëse dhe nxitëse po krijon një ambient të rrezikshëm për jetën publike dhe debatin demokratik në Kosovë.
“Lidhja Demokratike e Kosovës dënon me vendosmëri dhunën e sotme politike dhe shpreh shqetësimin e thellë për klimën e rrezikshme të gjuhës së urrejtjes, kërcënimeve dhe terrorit digjital që, prej kohësh, po rëndon jetën publike dhe debatin demokratik në Republikën e Kosovës”, ka shkruar LDK në Facebook.
LDK ka vlerësuar se mospajtimet politike duhet të mbeten brenda normave demokratike dhe institucionale, duke shtuar se Kosova ka nevojë për debat politik dhe garë idesh, e jo për frikësim apo sulme ndaj kundërshtarëve politikë.
Tutje, kjo parti u ka bërë thirrje akterëve politikë, institucioneve dhe shoqërisë që të kontribuojnë në ruajtjen e një klime të qetë demokratike dhe respektimin e kulturës së komunikimit publik.
“Çdo akt dhune, çdo gjuhë urrejtjeje dhe çdo përpjekje për intimidim politik duhet të refuzohet qartë dhe pa ekuivok nga të gjithë”, thuhet në fund të reagimit të LDK-së.






