Filozofi Blerim Latifi s’ka mundur të qëndrojë indifirent ndaj zhvillimeve të fundit në vend për çka u shpreh tejet qortues ndaj akterëve politikë në vend se “dinë veç t’ju tregojnë popullit çka kanë qejf të dëgjojnë” ndërsa në anën tjetër vlerësoi se në rrafshin ndërkombëtar “po gërryher substanca e shtetit”.
Postimi i Latifit:
Në një situatë normale dhe të pjekurisë politike votimi në kuvend i marrëveshjeve ndërkombëtare do të ishte vendimmarrja më e lehtë konsensuale. Sepse nga këto marrëveshje përfiton shteti, ndërsa profiti elektoral partiak prej tyre rëndom është i papërfillshëm.
Po ashtu një klasë politike e maturuar politikën e jashtme të shtetit do ta mbante të veçuar nga lufta brendshme partiake për pushtet.
Tek ne këto dy standarte pjekurie politike nuk janë konsoliduar kurrë dhe për pasojë, në rrjedhën e viteve, kemi rrëshqitur në një ngërç institucional, nga i cili e gënjejmë veten se do të dalim përmes zgjedhjeve të reja.
Ky vetëbllokim i brendshëm, i kombinuar me bllokimin e avancimit në rrafshin ndërkombëtar, nga viti në vit, është duke e grryer substancën e shtetit tonë. Dhe për më keq tingujt e kësaj gryerrje vazhdojnë të mbyten nga zhurmat e politikës demoskopike, politikës që di vetëm një gjë: të udhëhiqet nga ajo që populli ka qejf me dëgju.