Ylli i Barcelonës dhe i Spanjës, Lamine Yamal, ka folur hapur për synimin e tij për ta fituar ”Topin e Artë”, duke sugjeruar se mosha e tij e re mund të jetë pikërisht ajo që i penalizon në votimin përfundimtar.
Anësori i ri beson se, edhe pse tashmë po paraqitet në nivel elitar, votuesit shpesh bien pre e idesë se lojtarët e rinj kanë ende shumë kohë për ta fituar çmimin më vonë gjatë karrierës së tyre.
Yamal është shndërruar në një nga favoritët për “Topin e Artë” 2026 pas ngritjes së tij spektakolare me Barcelonën dhe kombëtaren spanjolle. Megjithatë, anësori 19-vjeçar ka shprehur një shqetësim interesant lidhur me mënyrën se si bota e futbollit e percepton kandidaturën e tij.
“Besoj, duke qenë krejtësisht i sinqertë, se është një gjë që njerëzit, nuk e di nëse do ta ndryshojnë, por mendoj se njerëzit mendojnë se, meqë Lamine është 19 vjeç dhe Lamine është shumë i mirë, ai do ta fitojë në një moment”, shpjegoi talenti i Barcelonës në një intervistë për “Guardian Sport”.
“Pra, le të themi Mbappe, Fabian, Rodri, Kvaratskhelia, Messi, Kane… Ata mendojnë se unë do të jem gjithmonë aty dhe se do ta fitoj përfundimisht”, shtoi ai.
Është një vëzhgim i sofistikuar nga një lojtar që tashmë ka mbajtur mbi supe presion të jashtëzakonshëm në nivelin më të lartë të futbollit.
Pavarësisht moshës së tij të re, Yamal është bërë figurë qendrore e Spanjës së Luis de la Fuentes, ku trajneri ka vënë në dukje se ai është “më i pjekur çdo ditë” dhe i aftë të interpretojë situata komplekse të ndeshjes, si brenda ashtu edhe jashtë fushës.
Për ta mbështetur teorinë e tij, Yamal iu referua trajektores së karrierës së rivalit të tij në futbollin elitar, Mbappes. Francezi shpërtheu në skenën botërore në mënyrë të ngjashme, duke e fituar Kupën e Botës si 19-vjeçar në vitin 2018 dhe menjëherë u shndërrua në një kandidat të përhershëm për çmimet individuale.
Megjithatë, pavarësisht viteve me paraqitje të nivelit elitar dhe faktit se konsiderohet gjerësisht pasardhësi i Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos, “Topi i Artë” ende nuk ka përfunduar në kabinetin e trofeve të Mbappes.
“Për shembull, Mbappes i ndodhi e njëjta gjë kur ishte i ri. I thanë se në një moment do ta fitojë dhe, në fund, deri tani, ai nuk e ka fituar”, tha Yamal.
“Prandaj mendoj se ndodhin gjëra të tilla. Është gjithashtu diçka që nuk mund ta kontrolloj; ajo që mund të kontrolloj është të luaj dhe të fitoj, të fitoj dhe të fitoj dhe, në fund, mendoj se do të vijë një moment kur nuk do të ketë më diskutime”, vazhdoi ai.
Yamal e hodhi poshtë menjëherë idenë se ai është thjesht një “yll në ngritje”, duke këmbëngulur se ndikimi i tij në fushë ka qenë në nivelin e “Topit të Artë” për një periudhë të konsiderueshme.
Ai sfidoi idenë se është një i sapoardhur në elitë, duke insistuar se ata që e kuptojnë vërtet lojën mund ta shohin ndikimin që ai ka në çdo ndeshje.
“Dhe mendoj se kam qenë në nivelin e ‘Topit të Artë’ për më gjatë sesa vetëm këtë vit. E kam pasur atë nivel për një kohë të gjatë dhe të gjithë e dinë këtë”, vazhdoi Yamal.
“Njerëzit që e njohin futbollin e dinë për çfarë po flas, e dinë se sa shumë ndryshim sjell unë. Ata mund të mendojnë kështu, por unë e kam të qartë se nuk është ashtu. Kur je skuadra më e mirë në botë, e fiton Ligën e Kampionëve në atë moment. Nuk dëshiron të presësh për ta fituar pas 10 vitesh, sepse ndoshta pas 10 vitesh do të ndodhë diçka tjetër”, e mbylli ai.






