Sezoni 2025/26 nuk ishte i mjaftueshëm që Lamine Yamal ta fitonte Topin e Artë, pasi në renditjen përfundimtare përfundoi prapa Harry Kane dhe Kylian Mbappes.
Megjithatë, ylli i Barcelonës duket se ka nisur një tjetër ofensivë për çmimin më prestigjioz individual në futboll, atë të vitit 2027, pasi po zhvillon një sezon të jashtëzakonshëm dhe është shndërruar në një prej futbollistëve më produktivë në Evropë.
Reprezentuesi spanjoll po shkëlqen sidomos në krijimin e rasteve për gol dhe aktualisht është futbollisti me më së shumti asistime në pesë ligat kryesore evropiane dhe Ligën e Kampionëve.
Sipas gazetës “AS”, Yamal kryeson listën e asistuesve në Evropë me gjithsej 12 asistime, tetë në La Liga dhe katër në Ligën e Kampionëve.
Kështu, ai gjendet përpara fituesit të Topit të Artë, Harry Kane, i cili ka regjistruar 11 asistime. Pas tyre renditen Florian Thauvin, Nico Paz dhe Marco Grüll, me nga tetë asistime.
Në Ligën e Kampionëve, megjithatë, një futbollist ka arritur të regjistrojë më shumë asistime se Yamal. Bëhet fjalë për Nico Pazin, i cili kryeson me pesë asistime.
Ndërkohë, në La Liga, dominimi i talentit të Barcelonës është edhe më i dukshëm. Me tetë asistime, ai është bindshëm në vendin e parë, përpara Javier Hernandezit të Espanyolit me gjashtë dhe bashkëlojtarit të tij, Fermin Lopez, me pesë asistime.
Ajo që e bën Yamalin edhe më të veçantë është fakti se përveç krijimit të rasteve, ai është edhe një kërcënim i madh për portat kundërshtare.
Në të dyja garat, La Liga dhe Liga e Kampionëve, 18-vjeçari ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në 25 gola të Barcelonës këtë sezon, duke realizuar 13 gola dhe duke dhuruar 12 asistime.
Së bashku me Raphinhan, Yamal ka qenë një prej futbollistëve kryesorë në repartin ofensiv të Barcelonës dhe një prej arsyeve të rëndësishme pse katalunasit po kryesojnë tabelën.
Këto statistika tregojnë se spanjolli po ndërton një tjetër kandidaturë serioze për Topin e Artë, pas dy tentimeve të mëparshme.
Megjithatë, shumëçka do të varet edhe nga sukseset e Barcelonës si skuadër, veçanërisht në Ligën e Kampionëve. Një triumf në garën më prestigjioze evropiane për klube do t’ia rriste ndjeshëm gjasat Yamali, por edhe Raphinhas, për ta fituar Topin e Artë në vitin 2027.






