Lama: Vazhdimi i seancës konstituive është në terren jokushtetues

- Advertisement -

Ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama, ka deklaruar se vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit po zhvillohet jashtë afateve kushtetuese dhe se kriza institucionale në vend është thelluar.

Sipas saj, afati i rregullt prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, ka kaluar më 7 gusht. Lama ka kritikuar partitë politike, duke thënë se PDK-ja dhe LDK-ja rrezikojnë të bëhen bashkëpërgjegjëse për shkeljen e Kushtetutës.

“Ai lloj i asaj seance është në terrenin jokushtetues. Afati i rregullt për konstituimin e Kuvendit ka kaluar më 7 gusht, 30 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve. Deputetët nuk e kanë shfrytëzuar afatin kushtetues për konstituimin e Kuvendit dhe çfarëdo veprimi që bëjnë është antikushtetues. Mendoj që partitë politike janë duke gabuar. E pashë që PDK-ja dhe LDK-ja do ta bëjnë veten bashkëfajtore në shkeljen e Kushtetutës”, ka deklaruar Lama.

Ajo ka thënë se, sipas saj, shkeljet kushtetuese janë shfaqur në disa nivele të institucioneve, duke përmendur betimin e deputetëve, pozitën e kryeministrit dhe ministrave, si dhe ushtruesen e detyrës së presidentes.

“Kushtetuta e Kosovës është e pezulluar për themelimin e Parlamentit. Kemi betimin e deputetëve dhe kemi shkelje të Kushtetutës sa i përket pozitës së kryeministrit dhe ministrave, pra të kabinetit qeveritar. Kemi deputet që ushtron postin e ushtrueses së detyrës së presidentes. Kushtetuta po shkelet në mënyrë të qëllimshme”, është shprehur ajo.

Lama ka shtuar se Albulena Haxhiu do të mund ta vazhdonte detyrën e ushtrueses së detyrës së presidentes vetëm nëse nuk do të ishte betuar si deputete, ndërsa sipas saj, edhe kryeministri që është betuar si deputet është në shkelje të Kushtetutës.

Të ngjashme

Të fundit