Një shtetas kosovar i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar është ekstraduar sot nga Shqipëria në Kosovë, përmes pikës kufitare në Vërmicë.
Burimet e IndeksOnline kanë mësuar së bëhet fjalë për Anton Allakaj.
Gjykata e Pejës e kishte dënuar me 11 vjet e 6 muaj burgim të kërkuarin, ndërsa nga dënimi i kanë mbetur për të kryer 9 vjet e 8 muaj
Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), në koordinim me njësitet relevante policore dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar ekstradimin e të dyshuarit, i cili ndodhej në arrati.
Sipas Policisë, personi ishte arrestuar nga autoritetet shqiptare bazuar në një urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar përmes INTERPOL-it nga institucionet e drejtësisë së Kosovës.
Pas përfundimit të procedurave të ekstradimit, i dënuari iu dorëzua njësive përkatëse të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, për procedurat e mëtejshme ligjore dhe dërgimin e tij në qendrën korrektuese për vuajtjen e dënimit.
Policia e Kosovës ka vlerësuar se ky ekstradim është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë.






