Kuvendi i Komunës së Gjilanit, nën udhëheqjen e Kushtrim Kadriut, kryesues, në seancën e sotme solemne, e ka shpallur “Qytetar Nderi” ish-ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Qemal Mixhozi, në shenjë nderimi për bashkëpunimin shumëvjeçarë.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se ky titull për ambasadorin Minxhozi është shprehje e respektit më të lartë që qyteti ynë mund t’i japë një individi, si vlerësim për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në të mirë të komunitetit, por edhe për ndihmën e tij në forcimin e lidhjeve që na bashkojnë dy vendet.
“Ky titull jepet për kontributin e tij të palodhur në forcimin, përmirësimin dhe thellimin e marrëdhënive mes Kosovës dhe Shqipërisë, dy shtete që ndajnë një komb e që kanë një histori dhe një te ardhme të përbashkët”, ka thënë Hyseni.
Ndërkaq, ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se Kuvendi Komunal sot po e nderon një personalitet, i cili me misionin e tij diplomatik, bëri që kjo komunë ta ketë respektin dhe kujdesin e Tiranës.
“Miqësia dhe kujdesi që ambasadori Minxhozi i dha Gjilanit do të mbetet e vulosur për gjeneratat e ardhshme dhe për historinë e Gjilanit përgjithmonë”, tha Haziri.
Ambasadori Qemal Minxhozi ka shprehur falënderime për nderin që i është bërë sot nga kuvendarët e Gjilanit.
“Gjilanin do e quaja një vend historik, shumë të rëndësishëm, jo vetëm për trevën e Anamoravës, por për kombin shqiptar. Ka rrënjë të thella në shtetformimin, historinë, trimërinë dhe në përballjen me çdo armik. Gjilani është një zonë e dijes, që përfaqëson në mënyrë sa më të dinjiteteshme të gjitha përpjekjet e luftës për liri e pavarësi dhe e përkthyer në kohët e sotme, me aktivitetet fantastike të “Flakës së Janarit”, është shprehur Minxhozi.
Në këtë ceremoni, ka mbajtur një fjalë rasti edhe ambasadori aktual i Republikës së Shqipërisë, shkëlqesia e tij, Petrit Malaj.