Kushtet në Pediatri, reagon PRAK-u, kërkon hetim transparent dhe mbrojtje të pacientëve

- Advertisement -

Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë (PRAK) ka reaguar lidhur me raportimet për kushtet në Klinikën e Pediatrisë të QKUK-së dhe pretendimet për presion ndaj një familjari të pacientit pas publikimit të shqetësimeve të tij.

PRAK-u ka shprehur shqetësim për situatën e raportuar, duke i uruar shërim të shpejtë fëmijës dhe duke shprehur solidaritet me familjet që përballen me vështirësi gjatë trajtimit në institucionet shëndetësore.

“Çdo pacient, e në veçanti fëmijët, kanë të drejtë për kujdes shëndetësor cilësor, të sigurt dhe me dinjitet. Këto të drejta garantohen me ligjin për të drejtat dhe përgjegjësitë e banorëve në sistemin shëndetësor, ligjin për shëndetësinë dhe kartën e të drejtave të pacientëve në Kosovë”, thuhet në reagimin e PRAK-ut.

Sipas kësaj shoqate, pretendimet për mungesë të kushteve elementare higjieno-sanitare, kontroll të infeksioneve, mjete bazike higjienike dhe komunikim jo të duhur me familjarët duhet të trajtohen me seriozitet.

“Këto nuk janë kërkesa për luks, por standarde minimale që çdo institucion shëndetësor është i obliguar t’i garantojë”, thuhet në reagim.

PRAK-a ka ngritur shqetësim edhe për pretendimet se familjari i një pacienti është përballur me presion pas shprehjes publike të shqetësimeve të tij.

“Çdo pacient dhe familjar ka të drejtë të raportojë parregullsitë dhe të kërkojë llogaridhënie pa frikë nga presioni apo intimidimi. Transparenca dhe zëri i pacientëve janë thelbësorë për përmirësimin e sistemit shëndetësor”, ka deklaruar PRAK-u.

Megjithatë, shoqata ka theksuar se mbrojtja e të drejtave të pacientëve nuk përbën sulm ndaj profesionistëve shëndetësorë.

“Shumica e tyre punojnë me profesionalizëm dhe përkushtim në kushte të vështira. Mangësitë e evidentuara duhet të trajtohen si probleme institucionale dhe sistemore”, thuhet në reagim.

PRAK u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të verifikojnë në mënyrë të pavarur dhe transparente pretendimet e ngritura, si dhe të informojnë publikun për gjetjet.

Po ashtu, ka kërkuar ndërmarrjen e masave të menjëhershme për përmirësimin e kushteve dhe standardeve të sigurisë së pacientëve, forcimin e mekanizmave për trajtimin e ankesave dhe garantimin që asnjë pacient apo familjar të mos përballet me presion për shkak të ankesave të tij.

“Ky rast duhet të shërbejë si një moment reflektimi për të gjithë sistemin shëndetësor. Përmirësimi i cilësisë së kujdesit nuk arrihet duke heshtur kritikën, por duke dëgjuar pacientët, duke reflektuar mbi shqetësimet e tyre dhe duke ndërmarrë masa konkrete”, përfundon reagimi i PRAK-u.

 

Të ngjashme

Të fundit