Sipas analistit Dibran Hoxha, familjen kosovare “po e shkatërron dhuna në radhë të parë”, deklaroi ai duke u mbështetur në raporte e të dhëna kredibile mbi dhunën në familje. Ai tha se familjen kosovare e shkatërron edhe mungesa e arsimimit, varfëria e migrimi.
Hoxha në Pressing tha se për 14 vjet në Kosovë u vranë 58 gra, teksa këtë vit u raportuan 2500 raste të dhunës në familje.
“Na duhet me pranu si shoqëri që familja tradicionale shqiptare është familje kryekëput patriarkale dhe e dhunës. Sot kanë nis 16 ditët e aktivizmit dhe brenda këtij viti janë raportu 2500 raste të dhunës në familje, kjo mundesh me thanë është rastësi por kur të përsëritet çdo vit është fenomen dhe është i ngjizur në shoqërinë tonë”, tha Hoxha në Pressing.
“2500 raste brenda këtij viti, 58 gra të vrara nga partnerët ose anëtarët e familjes nga viti 2010-2024 dhe në shumicën e rasteve autorët e vrasjeve kanë qenë bashkëshortët pastaj baballarët dhe djemtë”, tha Hoxha më tej.
Ai shtoi se sistemi ynë i drejtësisë nuk i ndëshkon dhunuesit.
Hoxha e pyeti deputetin Eman Rrahmani i cili tashmë është pjesë e Listës Familja “se pse nuk ka kërcy nga ky tren më herët, se z.Kurti është pa që ai tren ka marrë një kahje tjetër?”.