Kusari – Lila thotë se duhet tryezë e liderëve për tejkalimin e ngërçit, për tensionet sot fajëson PDK-në dhe AAK-në

- Advertisement -

Ministrja e Tregtisë në detyrë, Mimoza Kusari-Lila, referuar zhvillimeve të sotme në Kuvendin e Kosovës thotë se “për ta nxjerrë Kosovën nga ky cikël i pafund i përplasjeve, liderët politikë duhet të ulen në një tryezë të përbashkët dhe të gjejnë rrugën për tejkalimin e ngërçit politik”.

Sipsa saj, “thirrjet për të ftuar seancën përmes presionit, sulmeve verbale dhe fizike, janë jo vetëm kundërproduktive, por krijojnë skena të shëmtuara dhe krejtësisht të panevojshme në institucionin që duhet të jetë shembull i debatit demokratik”.

Prandaj, “u bëj thirrje liderëve të partive politike që t’u kërkojnë deputetëve të tyre të përmbahen nga çdo veprim i dhunshëm apo sjellje që cenon dinjitetin e Kuvendit dhe integritetin personal të kolegëve deputetë. Askush nuk duhet të ndihet i autorizuar ta kalojë këtë vijë”, shprehet Kusari-Lila.

Postimi i plotë:

Sot, Kuvendi i Kosovës nuk përcolli imazhin që qytetarët tanë, e aq më pak bashkatdhetarët tanë në diasporë, meritojnë të shohin. Përplasjet, fyerjet dhe çdo formë e sjelljes së dhunshme në sallën e Kuvendit janë të papranueshme dhe të paarsyetueshme, pavarësisht dallimeve politike.

Thirrjet për të ftuar seancën përmes presionit, sulmeve verbale dhe fizike, janë jo vetëm kundërproduktive, por krijojnë skena të shëmtuara dhe krejtësisht të panevojshme në institucionin që duhet të jetë shembull i debatit demokratik.

Prandaj, u bëj thirrje liderëve të partive politike që t’u kërkojnë deputetëve të tyre të përmbahen nga çdo veprim i dhunshëm apo sjellje që cenon dinjitetin e Kuvendit dhe integritetin personal të kolegëve deputetë. Askush nuk duhet të ndihet i autorizuar ta kalojë këtë vijë.

Për ta nxjerrë Kosovën nga ky cikël i pafund i përplasjeve, liderët politikë duhet të ulen në një tryezë të përbashkët dhe të gjejnë rrugën për tejkalimin e ngërçit politik. Kjo kërkon vullnet politik, përgjegjësi dhe gatishmëri për të bërë kompromiset e nevojshme në interes të vendit.

E për të dëshmuar pjekurinë e demokracisë sonë, duhet të mësojmë të shohim përtej mureve të politikës ditore dhe të kërkojmë mbështetjen e shoqërisë civile dhe të sferës akademike për krijimin e hapësirave të reja për dialog, mirëkuptim dhe zgjidhje.

Më shumë se asnjëherë tjetër, kemi nevojë për përgjegjësi publike, vetëpërmbajtje dhe, mbi të gjitha, respekt për Kuvendin si tempull i demokracisë.

Dhe këtë standard nuk mund t’ua kërkojmë të tjerëve nëse nuk e vendosim së pari ne, të zgjedhurit e qytetarëve të këtij vendi.

Kosova ka nevojë për më shumë përgjegjësi politike dhe më pak përplasje. Për më shumë dialog dhe më pak zhurmë. Është koha ta dëshmojmë këtë me veprime.

Të ngjashme

Të fundit