Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës, ku ka prezantuar potencialin ekonomik të Kosovës dhe ka kërkuar thellimin e bashkëpunimit rajonal në rrugën drejt integrimit evropian.
Përmes një postimi në Facebook, Kusari-Lila ka bërë të ditur se në kuadër të panelit ministror me temën “Common Vision for a Longstanding Economic Cooperation”, ajo ka diskutuar me përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe rajonit për objektivat e përbashkëta ekonomike dhe perspektivën evropiane.
Gjatë fjalës së saj, ajo ka theksuar se Bashkimi Evropian nuk mund të jetë i plotë pa përfshirjen e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke vlerësuar njëkohësisht progresin e Malit të Zi në procesin e integrimit.
Një pjesë të prezantimit, ministrja ia ka kushtuar reformave ekonomike dhe legjislative të Kosovës, si dhe sektorëve që ofrojnë mundësi për investime dhe zhvillim të mëtejshëm.
Ajo ka veçuar potencialin e Kosovës në prodhim, inovacion dhe zhvillimin e parqeve eko-industriale, duke përmendur edhe marrëdhëniet ekonomike me Austrinë si një mundësi për zgjerimin e bashkëpunimit me bizneset ndërkombëtare.
Kusari-Lila ka ftuar investitorët e huaj që të shohin Kosovën si një mundësi për investime dhe partneritet në zhvillimin industrial.
Sipas saj, bashkëpunimi më i ngushtë rajonal dhe një vizion i përbashkët për integrimin evropian janë thelbësorë për forcimin e stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit ekonomik në Ballkanin Perëndimor.
“Një vizion i përbashkët për Ballkanin Perëndimor nënkupton më shumë integrim, bashkëpunim, stabilitet dhe siguri, duke krijuar mundësi për zhvillim ekonomik dhe prosperitet të qëndrueshëm për të gjithë”, ka deklaruar Kusari-Lila.






