Situata në Lindjen e Mesme po reflekton edhe në Kosovë, duke ndikuar mes tjerash edhe në rritjen e çmimeve të biletave të autobusëve. Disa kompani kosovare kanë paralajmëruar shtrenjtim të biletave në linjat ndërurbane, ndërsa sinjale të ngjashme janë dhënë edhe nga operatorë jashtë vendit, raporton Ekonomia Online.
Po raportohet se autobusët e relacionit Prishtinë-Mitrovicë kanë filluar që nga e hëna rritjen e çmimit të biletave, prej 1.50 euro në 2.00 euro, ndërsa autobusët e relacionit Prishtinë-Rahovec nga 3.50 euro në 4.00 euro.
Megjithatë, pronari i kompanisë Sharr Travel, Ruzhdi Kurtishaj, ka bërë të ditur se nuk do të ndjekë këtë trend, duke theksuar se gjatë muajit mars nuk do të ketë rritje të çmimeve.
Kurtishaj, në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se situata globale ka ndikim të drejtpërdrejtë në këtë sektor.
“Së pari urojmë që situata në Lindjen e Mesme të rregullohet sa më parë, që mos të ketë më viktima jo vetëm në Lindjen e Mesme, por kudo në botë. Kjo është primare. Ndërkaq, pjesa e dytë është një shqetësim që na shqetëson të gjithëve, të gjitha bizneset po edhe qytetarët, sepse ka të bëjë me çrregullim të ekonomisë globale. Sigurisht që derivatet e naftës, përkatësisht nafta, është produkti bazë për operimin në sektorin e transportit publik të udhëtarëve dhe ka një impakt të drejtpërdrejtë apo të zhdrejtë edhe në formimin e çmimeve”, thekson ai.
Ai thekson se kompania e tij nuk do të rrisë çmimet gjatë muajit mars, përkundrazi do të ofrojë zbritje.
“Ne si kompani, jemi në muajin mars në 30-vjetorin e kompanisë tonë, pra të punës me autobusë në turizëm, dhe në këtë 30-vjetor ne nuk kemi ngritje të çmimeve. Përkundrazi, kemi zbritje deri në 30% për biletat të cilat blehen online në sistemin tonë të rezervimeve. Ndërkohë, unë po du me besu që kjo lufta atje të përfundojë sa më parë dhe ne mos të kemi nevojë për ngritje të çmimeve. Thënë shkurt, Sharr Travel gjatë muajit mars nuk ka asnjë lloj planifikimi për ngritjen e çmimeve. Përkundrazi, ftoj qytetarët e Kosovës që të bëjnë rezervimet e tyre në Sharr Travel, qoftë për udhëtimet drejt Zvicrës (Zvicër-Kosovë, Kosovë-Zvicër), kemi dy linja të rregullta në baza ditore për Tiranë dhe Durrës, kemi operimet tona që operojmë për Selanik. Të gjitha këto rezervime ata mund t’i bëjnë me zbritje deri në 30% për blerjet online”, tha ai.
Kurtishaj shton se kompania synon të qëndrojë pranë qytetarëve përballë krizës ekonomike.
“Pra, gjatë muajit mars, ne nuk e kemi në plan të ngrisim çmimet. Do të jemi me qytetarët, ta përballojmë këtë krizë të themi të paktën për një muaj, të jemi me xhepin e qytetarëve se ne i dimë kushtet dhe pagesat e tyre që i marrin në Kosovë, pagat e tyre, prandaj do të përballojmë këtë sfidë. Në ndërkohë, gjatë muajit prill do të shohim rrjedhën, se a do të shkojë në ngritje apo zbritje të çmimit të naftës dhe në bazë të asaj ne do të veprojmë. Pra, të paktën për një muaj ne e kemi garantuar dhe do t’i garantojmë qytetarët që nuk do të ketë rritje të biletave në asnjë destinacion turistik me Sharr Travel”, tha Kurtishaj.
Sipas tij, Kosova mbetet ndër vendet me çmimet më të ulëta të transportit.
“Shikoni, ne realisht… Kosova në përgjithësi operon me çmime ekonomike, me çmime shumë të lira në sektorin e transportit. Jemi ndër vendet që kemi çmimet e biletave më të lira. Për shembull, po udhëtohet Kosovë-Zvicër me vetëm 100 franga biletë, një drejtim, që janë mbi 2100 kilometra. Pra, nëse dikush udhëton nga Prizreni deri në Gjenevë ka mbi 2100 apo 200 kilometra dhe paguan vetëm 100 franga. Në asnjë vend të botës nuk është ky çmim i lirë. Çmimet tona variojnë që nga viti 2015 kur ne kemi filluar operimet tona për Zvicër, nuk e kemi pasur asnjëherë asnjë lloj ngritje të çmimit të biletave. Pa marrë parasysh që ne vetëm këtë vit po flitet për një 6.5% inflacion, dhe gjatë viteve të fundit ka pasur inflacion të vazhdueshëm, por çmimet e biletave janë të njëjta. Këto operime thuajse janë të njëjta edhe për linjat në turizëm, siç janë Durrësi, Shëngjini, Velipoja, Ulqini. Janë bileta jashtëzakonisht ekonomike, janë bileta të lira, ku këto nuk kanë ndonjë impakt në buxhetin e qytetarëve apo turistëve apo pushuesve të cilët dëshirojnë të udhëtojnë drejt vendeve bregdetare”, u shpreh ai.
Kurtishaj thotë se kompania nuk dëshiron të ndikojë negativisht në sezonin turistik duke rritur çmimet.
“Pra, këtë atmosferë të mirë të udhëtimeve që ne e filluam me hapjen e sezonës verore, nuk duam ta prishim me ngritjen e çmimeve, sepse kemi një fillim jashtëzakonisht të mirë, ku këtë vit 80% e rezervimeve deri tani vijnë për pushimet verore në Shqipëri. Gjithashtu kemi pushimin pranveror të fëmijëve dhe dëshirojmë që mësuesit, prindërit, profesorët dhe gjithë stafi tjetër teknik të mund t’i shfrytëzojë këto çmime dhe këto oferta të lira për fundjavat në Shqipëri. Ne ashtu jemi në këtë 30-vjetor, jemi me oferta ekonomike dhe nuk do të ketë asnjë ndikim ngritja e çmimit të derivateve të naftës në ngritjen e çmimit të udhëtimeve apo paketave turistike për bregdetin shqiptar”, thotë ai.
Ai përfundon se kompania do të vazhdojë të ofrojë çmime të përballueshme dhe kushte cilësore për udhëtarët.
“Pra, është ajo përshtypja e qytetarëve të Prishtinës sidomos, po e gjithë Kosovës, që Sharr Travel përveçse ofron komoditet dhe siguri të lartë në udhëtim me autobusët super komod të standardit Euro 6, ofron edhe paketa turistike ekonomike për fundjavat të cilat janë më se të domosdoshme për këtë pranverë. Për të marrë rrezet e para të diellit, për të marrë sasinë e nevojshme të jodit, për t’u relaksuar sepse po dalim nga stina e dimrit, kur shumë qytetarë patën edhe shpenzime, qofshin ato të ngritjes së energjisë elektrike dhe shpenzime të tjera operative. Thuajse pas përfundimit të sezonës së dimrit tash po fillojmë sezonin e verës, dhe duam ta mbajmë me krenari këtë çmim dhe këtë komoditet dhe këtë siguri të udhëtarëve pa ngritje të çmimit të biletave dhe të paketave turistike”, shtoi ai.






