-1.4 C
New York
Saturday, December 21, 2024

Buy now

Kurti vizitoi vendin e rënies së Heroit Afrim Bunjaku, përurohet emërtimi i rrugës “Afrim Bunjaku”

- Advertisement -

 

Pas vizitës tek familja e Heroit Afrim Bunjaku, në njëvjetorin e rënies së tij dhe homazheve tek varri i të ndjerit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, vizituan vendin e rënies së rreshterit Bunjaku, përkatësisht në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku në nderim të tij u zbulua tabela e rrugës që do të mbajë emrin “Afrim Bunjaku” sipas vendimit të mbledhjes së 221-të të Qeverisë.

 

Në deklarimin e tij para medieve, kryeministri Kurti potencoi se Banjska e 24 shtatorit 2023 ka qenë një plan për të sulmuar Kosovën ka qenë një agresion kundër sovranitetit shtetëror, integritetit territorial, paqes, sigurisë, kushtetutshmërisë, dhe ligjshmërisë.

 

“Plani ishte që të ndahet Kosova, plani ishte që të aneksohet një pjesë e territorit dhe rënia e Afrim Bunjakut nuk ishte e kotë, përkundrazi ajo është fitore e madhe e shtetit të Kosovës për të gjithë qytetarët pa dallim dhe në mbrojtje të tërësisë tonë territoriale. Kosova është një dhe e pandashme”, deklaroi kryeministri.

 

Gjatë vizitës në vendin e rënies së heroit Afrim Bunjaku, kryeministri Kurti ishte bashkë me policët që para një viti në orët e hershme të mëngjesit të 24 shtatorit 2023 u ballafaquan me paramilitarët e Radoiçiqit, të cilët ndanë detaje nga ballafaqimi me sulmin.

 

Kryeministri Kurti, shprehu mirënjohjen e tij të thellë dhe falënderime të përjetshme ndaj policisë sonë për të gjithë punën, angazhimin dhe kontributin në sigurinë e vendit.

 

 

Deklarimi i plotë i kryeministrit Kurti:

 

Sot janë bërë një vit prej rënies heroike të Rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili ishte bashkë me kolegët e tij në një vend ku ishte përgatitur kurthi për vrasjen e policëve tanë nga paramilitarë terroristë të cilët janë orkestruar dhe financuar nga Serbia, dhe të cilët paraprakisht kishin sjellur shumë armatim në Kosovë për një konflikt më të gjerë e më të gjatë. Nga konfiskimet e armatimit dhe municionit që ka bërë Policia e Kosovës në Zveçan dhe jo vetëm del që 105 lloje të armëve janë konfiskuar dhe mbi 80 mijë municion.

 

Kjo tregon që Banjska e 24 shtatorit 2023 ka qenë një plan për ta sulmuar Kosovën, ka qenë një agresion kundër sovranitetit shtetëror, integritetit territorial, paqes, sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, dhe pikërisht për këtë arsye meqenëse këtë ne nuk e harrojmë asnjëherë, sot në këtë vend zbuluam tabelën e cila shënon emërtimin e ri të kësaj rruge, pra “Afrim Bunjaku”, sipas vendimit të mbrëmshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

 

Policia e Kosovës është polici multietnike. Ajo ju shërben të gjithë qytetarëve, por kriminelët e llojit të Radoiçiqit, Veselinoviqit dhe të ngjashmëve nuk mund të fitojnë, nuk mund të jenë të lirë në Kosovën demokratike, të pavarur dhe evropiane. Ata fitojnë tendera, ata sillen lirë në Serbinë autokratike pro-ruse. Përgjegjëse është Serbia, andaj Serbia duhet të mbajë përgjegjësi dhe për këtë ne kërkojmë ndihmën e faktorëve evropianë dhe amerikanë të perëndimit demokratik, sepse Millan Radoiçiq dhe kriminelët e tjerë duhet t’i dorëzohen Policisë së Kosovës, autoriteteve të Kosovës dhe të përballen me drejtësi.

 

Pra, plani ishte që të ndahet Kosova, plani ishte që të aneksohet një pjesë e territorit dhe rënia e Afrim Bunjakut nuk ishte e kotë, përkundrazi ajo është fitore e madhe e shtetit të Kosovës për të gjithë qytetarët pa dallim dhe në mbrojtje të tërësisë tonë territoriale. Kosova është një dhe e pandashme.

 

Lavdi Afrim Bunjakut dhe të gjithë dëshmorëve të Kosovës, e po ashtu mirënjohje e thellë dhe falënderim i përjetshëm policisë sonë, e cila i ka trajnimet perëndimore dhe e ka patriotizmin vendor.

 

Bashkë me mua këtu janë edhe policët të cilët para një viti në orët e hershme të mëngjesit të 24 shtatorit 2023 u ballafaquan me paramilitarët e Radoiçiqit, i cili mbështetej e dirigjohej nga Vuçiqi.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit