Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, bashkëbisedoi me përfaqësues të agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë me në krye Koordinatoren Arnhild Spence, njofton ZKM.
Që një vit tani, Qeveria e Republikës së Kosovës ka gjetur zgjidhje të ligjshme për bashkëpunim me agjencitë e Kombeve të Bashkuara, që mbron sovranitetin dhe kushtetutshmërinë e Republikës. Ky bashkëpunim është i frytshëm dhe sjell bashkëpunim të jashtëzakonshëm në fushën e sundimit të ligjit, mirëqenies sociale, punësimit, mbrojtjes së trashëgimisë kulturore e digjitalizimit të shërbimeve.
Tema të diskutimit ishin prioritetet dhe projektet e Qeverisë dhe bashkëpunimi me këto agjenci në avancimin e tyre.
Në veçanti, është diskutuar për bashkëpunimin në zhvillimin ekonomik përmes mbështetjes ndaj bizneseve e turizmit, sidomos në pjesën veriore të vendit tonë. Po ashtu, është diskutuar për zhvillimin e transportit urban për lidhjen më të mirë ndërmjet lagjeve e qyteteve.
Kryeministri i informoi të pranishmit rreth punës më shumë se tre vjeçare të Qeverisë dhe progresin e arritur i cili është dëshmuar edhe nga rangimi i Kosovës në indekse e matje ndërkombëtare, duke u udhëhequr mbi parime të demokracisë, mirëqenies sociale, sundimit të ligjit dhe mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët pa dallim.
Përmendi mes tjerash krijimin e 15 mijë vendeve të reja të punës edhe përmes platformës “Superpuna”, rritjen e punësimit për gratë, ku me masat e qeverisë u mbështet punësimi i mbi 12 mijë grave.
Ai shtoi se edhe në veriun e vendit po punohet për rritjen e vendeve të punës dhe të mundësive të barabarta për të gjithë, përfshirë këtu edhe përfitimet nga programet e efiçiencës së energjisë.
Kryeministri i falënderoi përfaqësuesit e agjencive të Kombeve të Bashkuara për bashkëpunimin e ngushtë, punën e përbashkët dhe bashkëbisedimin e frytshëm.