Në margjinat e punimeve të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u prit në takim nga Princi i Kurorës së Shtetit të Kuvajtit, Shkëlqesia e Tij, Sheikh Sabah Khaled Al-Hamad Al-Sabah.
Kryeministri Kurti shprehi falënderime dhe mirënjohje për mbështetjen e çmuar dhe të vazhdueshme nga Kuvajti që nga viti 1999, njohja e pavarësisë më 2011, deri te qëndrimi krah Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kryeministri pranoi falënderime nga Princi për përkrahjen në luftimin e ekstremizmit në rajonin e Gjirit. Ndërsa biseduan edhe për kontributin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në misionin paqeruajtës në Kuvajt si pjesë e Gardës Kombëtare të Iowa-s.
Duke theksuar se është koha për një hap të ri domethënës, kryeministri shtoi se miqësia mes dy vendeve duhet të kthehet në partneritet konkret në rrugën e zhvillimit ekonomik.
Ai shprehi gatishmërinë e Republikës së Kosovës për ta nënshkruar memorandumin për Komisionin e Përbashkët për Bashkëpunim, i cili do t’u japë marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve mundësi të reja dhe një kornizë të qëndrueshme. Ndërsa u pajtuan që së shpejti të përmbyllen marrëveshjet për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe për mbrojtjen e investimeve.
Kryeministri tha se nevoja dhe vullneti i përbashkët për bashkëpunim ekonomik më të gjerë dhe më të thellë lidhen doemos me arritjet e Kosovës në sektorë kyç, si teknologjia e informacionit dhe industria e mbrojtjes, e ku të rinjtë dhe kompanitë tona po dëshmojnë çdo ditë se Kosova është vend i talentit, i punës dhe i mundësive.






