Kurti thërret partitë politike për bashkëpunim: Të bëjmë gjithçka për ta korrigjuar aktgjykimin e padrejtë të Speciales në Apel

- Advertisement -

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në mbledhjen e Qeverisë për takimet që zhvilloi me kryetarët e PDK-së dhe LDK-së, Bedri Hamzën dhe Lumir Abdixhikun, si dhe për deklaratën e miratuar në Kuvend lidhur me aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Kurti tha se takimet me Hamzën dhe Abdixhikun kishin për qëllim diskutimin e veprimeve të përbashkëta pas aktgjykimit të 16 shtatorit, të cilin e cilësoi si “të padrejtë dhe të rëndë”, si dhe për sfidat institucionale, politike e shtetërore që e presin Kosovën.

“Të dielën kam zhvilluar takime të ndara me kryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, përkatësisht me zotërinjtë Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhiku, për të diskutuar lidhur me veprimet e përbashkëta në raport me aktgjykimin e padrejtë dhe të rëndë të 16 shtatorit, por edhe për sfidat të cilat na presin përpara në aspektin institucional, politik e shtetëror”, tha Kurti.

Ai e vlerësoi si hap të parë të përbashkët deklaratën e miratuar në Kuvend me 99 vota për.

Sipas Kurtit, deklarata, përtej efektit juridik, shpreh vullnetin e deputetëve si përfaqësues të qytetarëve.

“Deklarata e miratuar me 99 vota për në Kuvendin e Republikës është hapi i parë i përbashkët që më shumë se sa që krijon efekt juridik, është shprehje e vullnetit të popullit nëpërmjet të zgjedhurve të tij”, tha ai.

Kurti bëri thirrje për bashkëpunim ndërmjet subjekteve politike parlamentare, duke theksuar nevojën që veprimet të bashkërendohen me ekipet mbrojtëse dhe ekspertë të fushës.

Ai paralajmëroi se Qeveria do të angazhohet për të kundërshtuar aktgjykimin përmes procesit të apelit.

“Si kryeministër i Republikës së Kosovës, do të bëjmë gjithçka që dimë e mundemi, bashkë me kolegët nga Qeveria dhe jo vetëm, për korrigjimin e këtij aktgjykimi kur të vijë apeli, e drejta e tij”, deklaroi Kurti.

Duke folur për UÇK-në, kryeministri tha se ajo ishte krijuar si përgjigje ndaj represionit dhe dhunës së ushtruar nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi si përgjigje ndaj represionit, vrasjeve e masakrave, dëbimeve masive, spastrimit etnik e gjenocidit nga Serbia dhe ajo ishte bartëse e luftës së drejtë të popullit”, tha Kurti.

 

Të ngjashme

Të fundit