Kurti pretendon se e ka kthyer “trurin” në Kosovë: Gjatë vitit 2025 u kthyen 171 mjekë

- Advertisement -

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se gjatë vitit 2025, 171 mjekë janë kthyer për të jetuar dhe punuar në Kosovë.

Këtë pretendim Kurti e bëri në edicionin e katërt të “Swiss Medical School”, ku foli për atë që e quajti “kthim të trurit”, si dukuri e kundërt me largimin e profesionistëve shëndetësorë nga vendi.

“Të gjithë jemi të brengosur me atë që quhet në mënyrë të popullarizuar, por me dhembje, ‘ikje e trurit’, edhe mjekët edhe infermierët tanë që lëshojnë atdheun dhe punojnë në vende të ndryshme të botës, posaçërisht në Evropën Perëndimore, por viteve të fundit e kemi dukurinë e cila është e kundërta e saj, drejtimi i njëjtë, por kahja e kundërt, ‘kthimi i trurit’”, ka thënë Kurti.

Ai pretendoi se vetëm gjatë vitit të kaluar janë kthyer 171 mjekë.

“Vetëm gjatë vitit 2025, 171 mjekë u kthyen për të jetuar dhe punuar në Kosovë”, deklaroi Kurti.

Kryeministri foli edhe për konkurset për specializime, për të cilat tha se tashmë hapen në bazë të kritereve të qarta dhe të sakta.

Ai e cilësoi bashkëpunimin me mjekët e diasporës si marrëdhënie afatgjatë dhe të domosdoshme, duke përmendur edhe angazhimin e profesionistëve që kthehen për të ligjëruar dhe trajnuar mjekët e rinj.

Të ngjashme

Të fundit