Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e ri të Francës në Kosovë, Jean-François Huchet.
Sipas njoftimit nga zyra e kryeministrit për media, Kurti i ka uruar mirëseardhje ambasadorit dhe sukses në detyrën e re, ndërsa ka vlerësuar zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe rritjen e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Francës.
Gjatë takimit është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit, me fokus në Lojërat Mesdhetare 2030, si dhe në fusha të tjera, përfshirë infrastrukturën, teknologjinë dhe energjinë.
“U diskutua gjithashtu për rrugën evropiane dhe proceset integruese. Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e mbështetjes së mëtejme të Francës për avancimin e Kosovës në këto procese. Kryeministri Kurti i uroi ambasadorit Huchet mandat të suksesshëm në Kosovë dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë gjatë mandatit të tij”, thuhet nga ZKM-ja.






