Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është kundërpërgjigjur deputetit të PDK-së, Eman Rrahmani, pas kritikave të këtij të fundit lidhur me projektligjin për fertilizimin e asistuar mjekësor.
Rrahmani ka ngritur çështjen e të drejtës së fëmijës për të njohur prindërit biologjikë, ndalimit të surrogacisë dhe kushteve për sterilizimin vullnetar të grave dhe burrave.
Kurti ka mohuar se Qeveria po angazhohet kundër familjes, duke thënë se një pretendim i tillë niset nga një premisë e gabuar.
“Unë ju shpjegova gjerësisht se çfarë po bëjmë për familjen, ndërsa ju përsëri po thoni se po angazhohemi kundër saj. Kjo nuk është e vërtetë”, ka deklaruar Kurti.
Ai i ka kërkuar Rrahmanit që të shikojë rastet konkrete në Kosovë dhe të komunikojë me personat që përballen me këto çështje.
“Është koha t’u jepet fund ankesave në emër të grave të Kosovës. Nuk e kuptoj pse flisni në emër të tyre. Kjo është absurde”, ka thënë Kurti.
Kurti i është referuar edhe ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, duke i kërkuar Rrahmanit që t’i drejtohet atij për të marrë informacionet dhe vendimet përkatëse.
“Ju vetë bëni pyetje parlamentare që i përsëritni në çdo seancë. Ju duhet t’i drejtoheni Ministrisë së Shëndetësisë që ta merrni vendimin. Duhet të informoheni saktë dhe ta afirmoni të vërtetën në opinionin publik”, ka deklaruar Kurti.






