Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se është takuar me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Élysée në Paris.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit kanë diskutuar për mundësitë e reja të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Francës, integrimin euroatlantik të Kosovës dhe sigurinë në rajon.
Ai ka thënë se në takim ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së Francës për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kurti ka bërë të ditur se ka shprehur vlerësimin edhe për nismën e Macronit për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet që lidhen me përdorimin e teknologjisë.
Sipas tij, kjo çështje ishte në qendër të Forumit të Paqes në Paris, ku Kosova iu bashkua Deklaratës Politike të Samitit të Fëmijëve, që synon mbrojtjen e mirëqenies, të drejtave dhe të ardhmes së brezave të rinj.
Kurti ka theksuar se Kosova dhe Franca do të vazhdojnë bashkëpunimin për paqe, zhvillim ekonomik dhe një të ardhme të përbashkët evropiane.






