Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe dhe vendosi lule të freskëta në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në fshatin Marinë të Komunës së Skenderajt, me rastin e 27-vjetorit të rënies së heroit Ilaz Kodra, komandant i Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”.
Me këtë rast, kryeministri Kurti theksoi se emri i Ilaz Kodrës do të shkruhet me shkronja të arta në historinë e popullit tonë. Ai tha se rënia e tij, gjaku i tij dhe i bashkëluftëtarëve të tjerë, që u bënë dëshmorë, na ndriçon rrugën përpara, por njëkohësisht edhe na mëson se sa i shtrenjtë ka qenë çmimi për lirinë që e gëzojmë e për shtetin që e kemi.
Prononcimi i plotë i Kryeministrit Kurti:
Komandanti Ilaz Kodra ra heroikisht para 27 vjetëve, pikërisht kur ishte në prag të ditëlindjes së tij të 33-të, më saktësisht tri ditë pa i mbushë 33 vjet, bashkë me 22 luftëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Duke e mbrojtur popullsinë civile, ai ra në ballafaqim të drejtpërdrejtë me forcat armike të Serbisë.
Ilaz Kodra ishte komandant i Brigadës 114 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila e mbante emrin e Fehmi Lladrovcit, pasi që Fehmiu, Xheva dhe Fatime Hetemi ranë heroikisht në ballafaqim, po ashtu, me forcat armike serbe në shtator të vitit 1998.
Ilaz Kodra i ka përngja edhe në sjellje, edhe punë, edhe në organizim Adem e Hamëz Jasharit, prandaj ai e ka vazhduar rrugën e tyre e të Fehmi Lladrovcit dhe është një nga komandantët më të jashtëzakonshëm të Ushtrisë tonë Çlirimtare. Andaj, emri i tij do të shkruhet me shkronja të arta në historinë e popullit tonë dhe rënia e tij, gjaku i tij dhe i bashkëluftëtarëve të tjerë, që u bënë dëshmorë, na ndriçon rrugën përpara, por njëkohësisht edhe na mëson se sa i shtrenjtë ka qenë çmimi për lirinë që e gëzojmë e për shtetin që e kemi.
Lavdi komandantit Ilaz Kodra dhe të gjithë luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët sakrifikuan e u flijuan për lirinë e popullit e çlirimin e vendit!






