Kurti mori pjesë në shënimin e Ditës Botërore të Inovacionit dhe Kreativitetit

- Advertisement -

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në shënimin e Ditës Botërore të Inovacionit dhe Kreativitetit, me moton “Inovacioni dhe kreativiteti nxitës për një të ardhme të qëndrueshme”, organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.

Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti tha se aftësia për të prodhuar dije, për ta shndërruar atë në vlerë ekonomike dhe për ta orientuar drejt mirëqenies shoqërore, është në themel të zhvillimit të një vendi.

“Zhvillimi i qëndrueshëm nuk është rezultat i rastësisë dhe as i resurseve natyrore në vetvete. Ai është rezultat i institucioneve publike funksionale, i politikave publike adekuate dhe i një sektori privat dinamik ku vlerësohen inovacioni dhe kreativiteti”, tha ai, duke shtuar se çdo vit, universitetet tona nxjerrin mijëra të diplomuar në fusha si inxhinieria, shkencat kompjuterike, ekonomia, dizajni dhe disiplina të tjera. Kryeministri listoi një mori të veprimesh, projektesh, investimesh dhe të arriturash në këtë sektor.

Në shënim të kësaj dite, kryeministri Kurti theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar për ndërtimin e ekosistemit më të plotë dhe funksional, i cili mbështet inovacionin dhe ndërmarrësinë, derisa theksoi se është bërë progres në zhvillimin e strategjive nacionale përkatëse, plotësimin e kornizës ligjore dhe krijimin e instrumenteve financiare për përkrahjen e bizneseve. “Dje, në mbledhjen e Qeverisë së Republikës, miratuam Projektligjin për Inovacion dhe Ndërmarrësi, i cili është një tregues i qartë i angazhimit dhe i përkushtimit tonë”, tha ai.

Të ngjashme

Të fundit