Kurti mori pjesë në inaugurimin e punimeve për ndërtimin e Parkut Solar në fshatin Kramovik të komunës së Rahovecit

- Advertisement -

 

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në inaugurimin e punimeve për ndërtimin e Parkut Solar Fotovoltaik me kapacitet prej 105 megavatësh, në fshatin Kramovik të komunës së Rahovecit.

Duke e vlerësuar ankandin e Ministrisë së Ekonomisë si model të vendosur dhe të dëshmuar, i cili do të vazhdojë, kryeministri Kurti theksoi se çmimi prej 48.88 euro për megavat-orë, është përcaktuar nga gara e fortë ndërmjet pesë ofertuesve.

“Kapaciteti tregon madhësinë e projektit dhe rëndësinë e tij për sistemin tonë energjetik. Mënyra e përzgjedhjes dhe çmimi konkurrues tregojnë kthesën që qeverisja jonë ka sjellë në projektet e mëdha të energjisë: transparencë e plotë, ku secili ka qasje në gjithë dokumentacionin, investitorët informohen në gjithë njësoj dhe të gjithë konkurrojnë në kushte të barabarta e të qarta”, tha kryeministri.

Kryeministri theksoi se përtej rritjes së kapaciteteve prodhuese vendore, ky projekt ka një domethënie të veçantë edhe për raportin me mërgatë, pasi kompani udhëheqëse e konsorciumit fitues, Orllati Group, është zhvilluar në Zvicër.

Teksa foli për rëndësinë e investimeve në burimet e ripërtërishme, kryeministri nënvizoi se ankandi i radhës, deri në 100 megavatë, për energji nga era është në fazën e fundit të ofertave, ndërsa shtoi se janë parakualifikuar tre ofertues, nga Franca, nga Gjermania e Kosova, si dhe nga Turqia. Në këtë kontekst, ai përmendi parkun e erës në Zatriq me kapacitet prej 70 megavatësh, që është afër përfundimit, dhe tenderimit e parkut solar prej 100 megavatësh nga KEK-ut, me ndihmën e Bankës Zhvillimore Gjermane (KfW).

Siguria e furnizimit po ngritet me më shumë prodhim vendor, me modernizim të kapaciteteve ekzistuese me thëngjill, me kogjenerim për ngrohje, me kapacitete të reja të diellit e të erës, rrjet më të fuqishëm, bateri, efiçiencë energjetike dhe me treg të integruar me Shqipërinë dhe Evropën. Për të ardhmen, synojmë përdorimin e thëngjillit në mënyrë të përgjegjshme, me theks të veçantë te gazifikimi i tij, dhe po shqyrtojmë mundësitë për të përdorur gazin e lëngëzuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes bashkëpunimit me Shqipërinë në Termocentralin e Vlorës”, theksoi kryeministri.

 

Fjala e plotë e Kryeministrit në detyrë Kurti:

E nderuara Ministre e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli,

I nderuar Kryetar i Komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi,

I nderuari pronar i kompanisë “Orllati”, z. Avni Orllati,

E nderuara znj. Luisa Helms, drejtore e kompanisë “Lindja Solar”,

Të nderuar përfaqësues të “Holdinova Group” dhe “Jeo Technology”,

Të nderuar përfaqësues të Ambasadës së Zvicrës në Kosovë,

I nderuari zëvendësministër, Ali Dula,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale,

Të nderuar partnerë të sektorit privat dhe të komunitetit të biznesit,

Të nderuar mysafirë,

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar të pranishëm,

 

Mirëdita dhe mirë se po takohemi në Kramovik tw Rahovecit, ku punimet tashmë kanë filluar për parkun solar, pas ankandit konkurrues të Ministrisë së Ekonomisë.

Parku do të ketë kapacitet prej 105 megavatësh për kyçje në rrjet. Çmimi i energjisë, 48 euro e 88 centë për megavat-orë, është përcaktuar nga gara e fortë ndërmjet pesë ofertuesve.

Kapaciteti tregon madhësinë e projektit dhe rëndësinë e tij për sistemin tonë energjetik.

Mënyra e përzgjedhjes dhe çmimi konkurrues tregojnë kthesën që qeverisja jonë ka sjellë në projektet e mëdha të energjisë: transparencë e plotë, ku secili ka qasje në gjithë dokumentacionin, investitorët informohen çdonjëri njësoj dhe të gjithë konkurrojnë në kushte të barabarta e të qarta.

Ky model tashmë është vendosur, është dëshmuar dhe do të vazhdojë. Ankandi ynë i radhës deri në 100 megavatë për energji nga era, tashmë është në fazën e fundit para dorëzimit të ofertave. Kemi tre ofertues të parakualifikuar nga Franca, nga Gjermania dhe Kosova, si dhe Turqia, që të gjithë me përvojën e ekpertizën e duhur për sukses.

Nga këtu ku jemi mund të shohim në horizont turbinat e parkut të erës në Zatriq me kapacitet 70 megavatë, i cili është afër përfundimit. Ndërkohë, KEK me përkrahjen e Bankës Zhvillimore Gjermane (KfW) ka tenderuar parku e tij solar me kapacitet së paku 100 megavat.

Burimet e ripërtëritshme të energjisë janë gjithnjë e më të rëndësishme në peizazhin e energjisë, sepse përveç që janë të pastra, viteve të fundit teknologjitë janë bërë përherë e më konkurruese për nga kostoja. Ndërsa burimet e tilla, si dielli e era, janë burime të pashtershme që nuk kanë kosto dhe kontribuojnë në uljen e nevojës për import.

Për integrimin e optimizimin e shfrytëzimit të këtyre burimeve, ne po investojmë në sisteme të baterive me përkrahje te Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) me grant prej 202 milionë dollarë. Jemi mirënjohës që Administrata e Presidentit Trump vitin e kaluar ka vendosur të vazhdojë Programin Kompakt për Kosovën, vendim pas të cilit puna ka vazhduar intensivisht. Gjatë gushtit presim ofertimin e kompanive të kualifikuara amerikane për ndërtimin e sistemeve të baterive me kapacitet 170 megavat për dy orë, gjithsej 340 megavatë orë, ndërtimi i të cilave fillon vitin e ardhshëm.

Në kohë të turbulencave gjeopolitike dhe të luhatjeve të mëdha të çmimeve në bursa ndërkombëtare, siguria energjetike është edhe siguri ekonomike edhe siguri kombëtare.

Prandaj, çdo megavat orë i prodhuar nga burimet tona na e zvogëlon ekspozimin ndaj krizave të jashtme dhe na e shton mbështetjen për ekonominë, e cila po rritet.

Siguria e furnizimit po ngritet me më shumë prodhim vendor, me modernizim të kapaciteteve ekzistuese me thëngjill, me kogjenerim për ngrohje, me kapacitete të reja të diellit e të erës, rrjet më të fuqishëm, bateri, efiçiencë energjetike dhe me treg të integruar me Shqipërinë dhe Evropën.

Për të ardhmen, synojmë përdorimin e thëngjillit në mënyrë të përgjegjshme, me theks të veçantë te gazifikimi i tij, dhe po shqyrtojmë mundësitë për të përdorur gazin e lëngëzuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes bashkëpunimit me Shqipërinë në Termocentralin e Vlorës.

Përtej rritjes së prodhimit vendor, ky projekt ka një domethënie të veçantë edhe për raportin tonë me mërgatën. Kompania udhëheqëse e konsorciumit “Orllati Group” është e zhvilluar në Zvicër, ku ka fituar përvojë, kapital dhe standarde pune, të cilat tani po i sjellë në Kosovë me investim afatgjatë.

Për dekada, mërgata jonë ka qëndruar pranë Kosovës në momentet më të vështira. Sot, po shohim gjithnjë e më shumë ndërmarrës nga mërgata që po kthehen me investime, me prodhim, teknologji dhe me vende pune. Kjo është një fazë e re dhe tejet e rëndësishme e kontributit të saj.

Falënderoj Qeverinë e ShBA-ve për mbështetjen në përgatitjen dhe dizajnimin e ankandit të parë solar. Ekspertiza e tyre ka ndihmuar që procesi të zhvillohet mbi praktika të mira ndërkombëtare dhe të krijojë besim te investitorët.

Falënderoj Ministrinë e Ekonomisë, Zyrën e Rregullatorit për Energji, KOSTT-in, LuxDev-in dhe të gjithë profesionistët që kanë punuar në fazat e ndryshme të këtij projekti të përbashkët.

Falënderoj investitorët për punën dhe përkushtimin e tyre për ta bërë këtë projekt realitet dhe një tregim suksesi tonin e tuajin.

Ju uroj punë të mbarë, të sigurt dhe përfundim sa më të shpejtë të projektit.

Ju faleminderit për pjesëmarrje dhe për vëmendje.

 

 

Të ngjashme

Të fundit