Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara me rastin e sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, të dielën u takua me kongresistin amerikan nga Partia Republikane, Mike Lawler, anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve dhe kryetar i Nënkomisionit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.
Kryeministri Kurti e falënderoi kongresistin Lawler për anëtarësimin e tij në Kaukusin për Çështjet Shqiptare në Kongresin amerikan, si dhe për bashkëpropozimin e rezolutës në Dhomën e Përfaqësuesve në mbështetje të integrimit të Kosovës në NATO. Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati më i rëndësishëm i Kosovës.
Kryeministri e informoi kongresistin për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë votimin e Qeverisë së re në Kuvendin e Republikës së Kosovës më 13 shtator, si dhe për gatishmërinë e Qeverisë për rifillimin e Dialogut Strategjik me Shtetet e Bashkuara, me një agjendë konkrete për sigurinë, energjinë, investimet dhe sundimin e ligjit.
Po ashtu u theksua bashkëpunimi i shkëlqyeshëm dypalësh, ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në fushën e mbrojtjes. Ndërsa, u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe për tërheqjen e investimeve amerikane në Kosovë, sidomos në energji, teknologji dhe prodhim, si dhe për rolin e mërgatës shqiptare në New York si urë për tregti dhe investime.
Në këtë takim, pjesë e të cilit ishte edhe deputeti Shaip Kamberi, kryeministri Kurti e njoftoi kongresistin Lawler për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ai theksoi se, pas njëzet e pesë vjetësh dhe katër kornizash integruese, Komisioni Evropian konstatoi në vitin 2025 se plani i fundit për përfaqësimin e shqiptarëve në institucione ende nuk ka dhënë rezultate të matshme. Ai theksoi se përfaqësimi i tyre në institucione mbetet shumë larg në raport me popullsinë. Kryeministri ngriti edhe çështjen e pasivizimit të adresave, që prek mijëra shqiptarë dhe që ka pasoja të drejtpërdrejta në të drejtën e votës dhe në pajisjen me dokumente identifikimi, si dhe për adresimin e kësaj çështjeje.
Kryeministri Kurti foli edhe për aktgjykimin e padrejtë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, duke theksuar se është e rëndësishme të dallojmë atë që është thënë e pretenduar nga ajo që është provuar dhe vendosur nga gjykata.
Kryeministri tha se pretendimi për “Shtëpinë e Verdhë” dhe trafikimin e organeve, mbi të cilin u krijua pjesa dërrmuese e narrativës që parapriu themelimin e Dhomave të Specializuara, nuk ishte fare pjesë e aktakuzës, sikurse ra edhe pretendimi për krime kundër njerëzimit dhe sulme të gjera e sistematike ndaj popullatës civile. Kryeministri Kurti theksoi se Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte dhe mbetet e drejtë, e nuk mund të njolloset në asnjë mënyrë. Ndërsa shtoi se shqetësuese mbetet jotransparenca e Gjykatës Speciale që nga nisja e punës së saj e deri sot, si dhe dënimet e rënda pas vendimit që lëngon nga pasaktësia historike dhe faktike.
Në fund të takimit, Kryeministri Kurti e ftoi kongresistin Lawler për një vizitë në Republikën e Kosovës, bashkë me një delegacion të Kongresit amerikan.






