Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në ditën e parë të qëndrimit të tij në Michigan, me ftesë të Organizatës së Studentëve Shqiptarë, pati një diskutim të hapur me studentë të Universitetit të Michigan-it.
Ai foli për punën e deritanishme të Qeverisë, sukseset dhe planet për pjesën tjetër të mandatit. Si prioritet të qeverisë, ai ritheksoi edhe një herë hapjen e vende të reja të punës dhe rëndësinë që investimet e huaja kanë në këtë drejtim, e sidomos të investimeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përveç prioritizimit të hapjes së vendeve të reja të punës, kryeministri Kurti foli edhe për luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, dhe për përmirësimet që Kosova ka shënuar gjatë këtij viti në indikatorët ekonomikë dhe të demokracisë. Në rrafshin e politikës së jashtme, nënvizoi reagimin e menjëhershëm në solidaritet me Ukrainën dhe popullin e saj pas agresionit të paprovokuar dhe pajustifikuar të Federatës Ruse dhe rreshtimit me botën demokratike duke vendosur sanksionet ndaj Rusisë. Me studentët, kryeministri Kurti po ashtu foli për rëndësinë e transferimit të dijes, angazhimin potencial të tyre në kuadër të institucioneve tona dhe ndërlidhjen me komunitetin Shqiptaro-Amerikan.
Gjatë këtij diskutimi, kryeministri Kurti iu përgjigj edhe pyetjeve të studentëve të pranishëm.