Kryeministri Albin Kurti, gjatë një takimi me komunitetin e mërgatës në Turqi, ka lavdëruar qeverinë e tij dhe ministrat e kabinetit qeveritar, duke i quajtur këta të fundit me duar të pastra, shkruan Reporteri.net.
Ai ka thënë Qeveria e tij po e lufon korrupsionin, dhe shtoi se qeveria e tij e do popullin e pasur, e jo politikanët e pasur.
“E luftojmë korrupsionin në çdo fushë, në çdo nivel. Qeveria jonë është Qeveri e ministrave që kanë ndërgjegje dhe duar të pastra, që e kursejnë buxhetin e shtetit dhe nuk e kursejnë vetveten, punojnë ditë e natë, pa rezervë, sepse duhet ta forcojmë shtetin tonë dhe ta pasurojmë popullin tonë. Ne jemi një Qeveri që e do popullin e pasur, jo politikanët e pasur”, ka thënë Kurti.
Ai tutje ka shtuar se reformat e qeverisë do të vazhdojnë dhe ka premtuar investime në ekonomi.
“Reformat e Qeverisë do të vazhdojnë, edhe të ketë drejtësi për popullsinë, por në të njëjtën kohë të ketë edhe investime në ekonomi, planifikojmë që në këtë dekadë, gjashtë vitet në vijim t’i kemi investimet 7 miliardë. 3 miliardë në transport, 2 miliardë në energji, dhe 2 miliardë në mjedis. Me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në shkurt të këtij viti kemi nënshkruar memorandum bashkëpunimi për projekte të ndryshme për tri vitet e ardhshme në vlerën prej 400 milionë euro, kjo tregon që Evropa beson në të ardhmen e Kosovës”, ka pohuar kryeministri.