Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se në kuadër të Forumit të Paqes në Paris është lansuar Samiti i Fëmijëve, nismë së cilës i është bashkuar edhe Republika e Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka njoftuar se Kosova iu bashkua Deklaratës Politike, me synimin për të mbrojtur mirëqenien dhe të ardhmen e gjeneratave të reja.
Kryeministri ka theksuar rëndësinë e arsimimit dhe shëndetit të fëmijëve, përfshirë shëndetin mendor dhe psikosocial, në një kohë kur, siç është shprehur ai, shoqëria po përballet me sfida nga teknologjitë e reja dhe qëndrimi i gjatë para ekraneve.
“Në kuadër të Forumit të Paqes në Paris u lansua Samiti i Fëmijëve, dhe si Republikë e Kosovës iu bashkuam Deklaratës Politike, me qëllim mbrojtjen e mirëqenies dhe të ardhmes së gjeneratave të reja. Arsimimi dhe shëndeti i fëmijëve, përfshirë ai mendor e psikosocial, teksa po sfidohemi nga teknologjitë e reja dhe kalojmë kohë të gjatë në ekrane, janë jetikë”, ka shkruar Kurti.






