Sipas këtij mediumi, nuk mund të mohohet që tensionet janë ende të larta, dhe se “fantazma” e një lufte të re në Evropë, qëndron e madhe.
“Ajo që është e pamohueshme është se tensionet mbeten jashtëzakonisht të larta dhe fantazma e një lufte tjetër në Evropë duket e madhe, duke rënë këmbanat e alarmit në Bruksel dhe përtej Atlantikut në Uashington.” – thuhet fillimisht.
Kurti, i frustruar
Për këtë artikull, është intervistuar edhe kryeministri Albin Kurti, të cilin mediumi e përshkruan “të indinjuar dhe të frustruar”.
Shefi i Qeverisë së Kosovës madje, siç raportohet, ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që të ketë një qëndrim më të ashpër me Serbinë.
“Po e mohojnë sepse janë duke luajtur me librin e Putinit në Donbas. Burrat e vegjël me të gjelbërt në pjesën veriore të Kosovës. Jo edhe aq të vegjël, port ë gjelbërt sigurisht, që dëshironin të fillonin një luftë dhe ta ndajnë Kosovën.” – ka deklaruar ai.
Tutje, mediumi përshkruan ndarjen e dy komuniteteve nga një lum. “Duken si dy kombe që jetojnë në një çati…”.
Por sipas “Sky News”, të dy janë bashkë në shqetësimin se ku mund të çojë krejt kjo situatë.
Çka ndodhi?
Më 24 shtator një grup i armatosur rëndë hynë në Bajnskë të Zveçanit, ku vranë një polic të Policisë së Kosovës.
Po ashtu, katër terroristë të këtij grupi u vranë dhe disa të tjerë u arrestuan nga Policia e Kosovës. Pikërisht ai që doli të jetë organizatori, Milan Radojiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, ia doli të largohet në Serbi.
Ky i fundit, gjatë kësaj jave u arrestua në Serbi në lidhje me ngjarjet në Kosovë. Megjithatë, ai u lirua pas një ditë dhe atij “iu ndalua hyrja në Kosovë”.
Komuniteti ndërkombëtar në anën tjetër, ka kërkuar që të përfundojmë të gjitha hetimet në mënyrë që të dalë me një qëndrim përfundimtar, sidomos pas deklaratave të Qeverisë së Kosovës që autoritetet serbe kanë pasur lidhje me këtë grup.
Deri më tani, në vazhdimësi liderët e vendit kanë kërkuar që të vendosen masa ndaj Serbisë, dhe të njëjtat, janë përmendur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
ShBA veç kësaj, javën që lëmë pas e konsideroi si shumë shqetësuese mbledhjen e një numri të madh të trupave ushtarake serbe në kufirin me Kosovën, duke kërkuar largimin e menjëhershëm të tyre