Kurti flet për “kthimin e trurit”, ndërsa mjekët kosovarë në Gjermani shtohen më shpejt se ata të çdo vendi fqinj

- Advertisement -

Kryeministri Albin Kurti doli të shtunën para mjekëve dhe studentëve të mjekësisë në Prishtinë me një deklaratë që nxiti kundërshtimin e përfaqësuesit të studentëve: Kosova po përjeton “kthimin e trurit”. Si provë, ai paraqiti një shifër të vetme, pa treguar burimin e saj. Ndërkohë, largimi i mjekëve nga Kosova nuk është ndalur. Vetëm gjatë vitit 2025, numri i mjekëve me shtetësi kosovare që punojnë në Gjermani u rrit me 50.

“Vetëm gjatë vitit 2025, 171 mjekë u kthyen për të jetuar dhe punuar në Kosovë”, tha Kurti në hapjen e edicionit të katërt të “Swiss Medical School”.

Ai e paraqiti dukurinë si “drejtimi i njëjtë por kahja e kundërt”. Megjithatë, Kurti nuk tregoi se nga cili institucion buron shifra prej 171 mjekësh, si janë identifikuar të kthyerit dhe në cilat institucione janë punësuar.

Ndonëse Kurti nuk iu referua asnjë të dhëne zyrtare për kthimin e tyre, statistikat zyrtare gjermane kanë çka tregojnë për numrin e mjekëve me shtetësi kosovare që punojnë atje.

Sipas statistikave vjetore të Dhomës Federale të Mjekëve të Gjermanisë, në fund të vitit 2025 në Gjermani punonin 568 mjekë me shtetësi të Kosovës. Dy vjet më parë ishin 459.

Vetëm gjatë vitit 2025, pikërisht në vitin e “kthimit”, numri i tyre u rrit me 50. Rritja prej 9,7 për qind ishte gati dyfishi i asaj të të gjithë mjekëve të huaj në Gjermani. Këto shifra tregojnë ndryshimin e numrit të mjekëve të regjistruar, jo domosdoshmërisht numrin e atyre që emigruan gjatë atij viti.

Asnjë vend tjetër i Ballkanit Perëndimor nuk pati rritje kaq të shpejtë të numrit të mjekëve në Gjermani. Numri i mjekëve nga gjashtë vendet e rajonit u rrit me gjithsej 116 gjatë vitit 2025, prej të cilëve 50 i përkisnin Kosovës. Serbia, me mbi tri herë më shumë mjekë atje, regjistroi një rritje prej vetëm nëntë mjekësh.

Në këto shifra nuk figurojnë as mjekët me prejardhje nga Kosova që kanë marrë shtetësi gjermane dhe regjistrohen si shtetas gjermanë. Ndërkohë, Kosova nuk figuron veçmas në listën e vendeve ku shkuan 2.234 mjekët që e lanë Gjermaninë në vitin 2025.

Oda e Mjekëve të Kosovës lëshoi në vitin 2025 gjithsej 95 certifikata për përdorim jashtë vendit, pas 111 në vitin 2024 dhe 167 në vitin 2023. Këto dokumente nuk dëshmojnë domosdoshmërisht se të gjithë përfituesit janë larguar nga Kosova.

Sipas kryetarit të Odës, Pleurat Sejdiu, në vitin 2024 sektorin publik e lanë rreth 220 mjekë: 111 shkuan jashtë vendit, 92 dolën në pension dhe 15 vdiqën. “Do të thotë, ne jemi në minus çdo vit”, i kishte thënë ai Radios Evropa e Lirë.

Edhe infermierët vazhdojnë të kërkojnë dokumentacion për mundësi punësimi jashtë Kosovës. Oda e Infermierëve lëshoi në vitin 2025 gjithsej 192 licenca të paplastifikuara, të cilat zakonisht kërkohen për punësim jashtë vendit.

Një kundërpërgjigje e ashpër erdhi nga përfaqësuesi i studentëve të mjekësisë. Besfort Racaj, kryetar i Këshillit Studentor të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, tha se gjatë viteve 2021–2026 mbi 650 mjekë kanë tërhequr dokumentacionin nga Oda për punë jashtë.

“Në atë sallë, thuajse çdo i dyti ka nisur ose planifikon të regjistrohet në kursin e gjuhës gjermane”, shkroi Racaj në Facebook. “Kryeministër, duket se keni zgjedhur publikun e gabuar për t’i hedhur hi syve!”

Sipas tij, kryeministri nuk iu përgjigj kërkesës së studentëve për takim, ndonëse afati ishte 6 nëntori. “Unë e argumentoj ikjen. Kryeministër, a mund ta argumentoni ju kthimin?”, shkroi ai.

Mjekët e rinj kanë paralajmëruar se më 13 nëntor do të paraqiten në Ministrinë e Shëndetësisë për të kërkuar përmbushjen e kërkesave të tyre.

Të ngjashme

Të fundit