Sekretari i Përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, deklaroi se presidentja e vendit, Vjosa Osmani, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, e kanë quajtur vazhdimisht “fake news” raportimet e mëhershme të mediave për ekzistimin e planit evropian.
Madje sipas tij, Kurti tanimë këtë dokument të cilin e ka cilësuar si lajm të rrem, e ka shndërruar në dokument zyrtar për Kosovën.
“Kryeministri Albin Kurti, së bashku me presidenten Vjosa Osmani, vazhdimisht e kanë mohuar planin evropian. Madje, e kanë quajtur “fake news”. E në fund, erdhëm në atë situatë ku kryeministri Kurti, një “fake news” e shndërron në dokument zyrtar për Republikën e Kosovës. Përfundimisht, kemi një situatë ku kryeministri Kurti i bashkëngjitet karvanit të regjimit të vjetër. Pra, sjellë marrëveshje të cilat nuk e kanë njohjen brenda, madje kanë Zajednicën brenda”, deklaroi Sherifi në emisionin “Info Nata”.
Tutje, Sherifi vlerësoi që tashmë kemi normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Pra, nuk kemi më hyjni, nuk kemi më profet, nuk kemi më njerëz të pamposhtur”, potencoi Sherifi në Tëvë1.
Njëherit, Sherifi tha se kryeministri Kurti ka sjellë një marrëveshje të vitit 2013, por vetëm më të zgjeruar.