Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me kolegë dhe bashkëpunëtorë, bëri homazhe te varri i heroit Bahri Fazliu, në kompleksin e varrezave të dëshmorëve në lagjen Velania në Prishtinë.
Duke kujtuar dhe nderuar figurën e tij, kryeministri në detyrë Kurti tha se kombi shqiptar ka Bahri Fazliun, jo vetëm një luftëtar të orëve të para të përpjekjeve çlirimtare, por edhe shembullin e një intelektuali të ri, e një kritiku të angazhuar, e një poeti romantik, e një drejtuesi të gazetës dhe gjithashtu një organizatori e ideatori njëkohësisht të strategjisë çlirimtare, përmes organizimit të popullit.
Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Bashkë me kolegët nga Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Republikës, me zyrtarë të shtetit e me aktivistë të Lëvizjes, me Fadil Fazliun, vëllain e Bahriut dhe Fahriut, jemi këtu tek varri, ku prehet i qetë Bahri Fazliu, i cili ishte luftëtar edhe para luftës çlirimtare.
Kombi shqiptar ka Bahri Fazliun, një luftëtar jo vetëm të orëve të para të përpjekjeve tona çlirimtare, por tek ai e gjejmë edhe shembullin e një intelektuali të ri, e një kritiku të angazhuar, e një poeti romantik, e një drejtuesi të gazetës dhe gjithashtu e një organizatori e ideatori njëkohësisht të strategjisë çlirimtare përmes organizimit të popullit.
Bahri Fazliu sot prehet këtu në Prishtinë ndërmjet dy personaliteteve të tjera, të cilët i kishte gjithmonë pranë. Në të djathtë të tij është dëshmori i popullit shqiptar, Fahri Fazliu, i cili më pak se një dekadë para Bahriut, në ballafaqim të drejtpërdrejtë me forcat armike serbe ra heroikisht bashkë me Afrim Zhitinë. Ndërkaq, në të majtë të tij është shoku i tij i pandashëm Agron Rrahmani. Dhe këtë përparësi që e kishte Bahri Fazliu e maksimizoi duke organizuar rinin shqiptare deri në ditën e 7 majit të vitit 1998, kur ra heroikisht në betejë në Bogiqe, në kufirin ndërmjet Kosovës-Shqipërisë dhe Malit të Zi, me forcat ushtarake të Serbisë, pra më shumë se një vit para çlirimit të Kosovës.
Për Bahri Fazliun mund të mësojmë jo vetëm duke e lexuar jetëshkrimin e tij nga historianët dhe bashkëluftëtarët, por gjithashtu duke e lexuar edhe atë drejtpërdrejtë, meqenëse ka lënë një thesar të madh të shkrimeve, të analizave të mprehta, por gjithashtu edhe të poezive, të cilat sa janë të bukura, aq janë edhe frymëzuese.
Lavdi Bahri Fazliut dhe të gjithë dëshmorëve të kombit tonë!






