Në shënimin e 28-vjetorit të rënies së heronjve të kombit, Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot bëri homazhe në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë.
Me këtë rast, kryeministri në detyrë Kurti tha se Ilir Konushevci dhe Dr. Hazir Malaj, nuk u ndanë asnjëherë nga njëri tjetri, e kishin idealin e njëjtë, e kishin punën e përbashkët dhe ishin të angazhuar deri në flijim për çlirimin e Kosovës, për lirinë e popullit dhe për Republikën e pavarur dhe sovrane, të cilën e gëzojmë sot.
“Ilir Konushevci si shpirti i logjistikës, i furnizimit, i ngritjes së luftës çlirimtare, punoi shumë kohë para luftës në mënyrë që të mund të luftojmë e të çlirohemi, andaj sot kur e shohim Forcën e Sigurisë së Kosovës, me armatimin e municionin modern e të shumtë që ka, me radhët e saj që sa vije e shtohen, ndjejmë se po e lajmë një pjesë të vogël të borxhit të madh që kemi ndaj gjithë dëshmorëve të kombit, ndaj të gjithëve martirëve të luftës së e në veçanti ndaj njerëzve si Ilir Konushevci e Dr. Hazir Mala, të cilët aq shumë u angazhuan e kontribuan që të mund të luftojmë e të çlirohemi.”, tha kryeministri në detyrë Kurti.






