Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ushtruesen e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, bëri homazhe pranë pllakës përkujtimore “Kosova Kujton”, në oborrin e ndërtesës së Qeverisë dhe Kuvendit, në përkujtim dhe nderim të viktimave të sulmit terrorist të 11 Shtatorit 2001 në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kryeministri Kurti tha se jemi mbledhur këtu për të shënuar përvjetorin e 25-të të atyre sulmeve.
“Sot, para një çerek shekulli, katër avionë ishin shndërruar në armë të shkatërrimit masiv, me pasoja të tmerrshme: 2,977 ishte numri i të vrarëve atë ditë, por numri i viktimave është edhe më i lartë. Sipas studiuesve, mbi 5,000 persona kanë vdekur nga sëmundjet dhe komplikimet e 11 shtatorit. Dhe mijëra e mijëra të tjerë të mbijetuar vazhdojnë të vuajnë nga këto pasoja”, tha kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti ka shtuar se 441 prej viktimave, gati 15% të tyre, ishin reagues të parë, të cilët sakrifikuan jetën e vet për të shpëtuar qindra, ndoshta edhe mijëra, jetë të tjera.
“Vepra e këtyre heronjve, policëve e zjarrfikësve dhe jo vetëm, në atë ditë të errët, do të jetojë përgjithmonë në zemrat tona dhe të brezave të ardhshëm. Le të shërbejnë ata si shembuj të përhershëm për të gjithë ne, e në dalje të Muzeut Ground Zero, lash një shënim të thjeshtë para një viti: Memory lives, freedom wins, pra, Kujtesa jeton, liria fiton”, tha kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti shtoi po ashtu se Kosova qëndron përkrah ShBA-ve, sepse përkushtimi ynë ndaj lirisë dhe demokracisë dhe vendosmëria jonë për t’i mbrojtur këto vlera, është e palëkundur.
Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë Kurti:
E nderuara ushtruese e detyrës së Presidentes së Republikës, znj.Albulena Haxhiu,
E nderuara përfaqësuese e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës,
Të nderuar kolegë nga ekzekutivi dhe legjislativi,
Të nderuar zyrtarë të shtetit,
Zonja dhe zotërinj,
Prej të gjitha udhëtimeve, të cilat i kam bërë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një ndër përvojat më mbresëlënëse ka qenë vizita, bashkë me gruan time Rita, te memoriali dhe muzeu i 11 shtatorit, në Ground Zero të qytetit të New York-ut, vitin e kaluar. Aty patëm mundësi të bëjmë homazhe, të kujtojmë viktimat dhe të mësojmë e reflektojmë mbi të gjitha aspektet e sulmeve të asaj dite.
Sot jemi mbledhur këtu për të shënuar përvjetorin e 25-të të atyre sulmeve. Para një çerek shekulli, katër avionë ishin shndërruar në armë të shkatërrimit masiv, me pasoja të tmerrshme: 2,977 ishte numri i të vrarëve atë ditë, por numri i viktimave është edhe më i lartë. Sipas studiuesve, mbi 5,000 persona kanë vdekur nga sëmundjet dhe komplikimet e 11 shtatorit. Dhe mijëra e mijëra të tjerë të mbijetuar vazhdojnë të vuajnë nga këto pasoja.
Para 25 vjetësh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës pësuan sulmin më vdekjeprurës në historinë e vet. Dhe bota pësoi ndër goditjet më të rënda ndaj vlerave demokratike. Kosova qëndron përkrah ShBA-ve jo vetëm se ShBA-ja kurrë nuk ka braktisur Kosovën. Ne qëndrojmë dhe gjithmonë do të qëndrojmë me Amerikën, sepse përkushtimi ynë ndaj lirisë dhe demokracisë dhe vendosmëria jonë për t’i mbrojtur këto vlera, është e palëkundur.
Zonja dhe zotërinj,
Që gati tre mijë njerëz janë vrarë drejtpërsëdrejti në sulmet e 11 shtatorit, është botërisht e ditur. Ajo që nuk përmendet aq shpesh, është se 441 prej viktimave, gati 15% të tyre, ishin reagues të parë (first responders), të cilët sakrifikuan jetën e vet për të shpëtuar qindra, ndoshta edhe mijëra, jetë të tjera. Vepra e këtyre heronjve, policëve e zjarrfikësve dhe jo vetëm, në atë ditë të errët, do të jetojë përgjithmonë në zemrat tona dhe të brezave të ardhshëm. Le të shërbejnë ata si shembuj të përhershëm për të gjithë ne, e në dalje të Muzeut Ground Zero, lash një shënim të thjeshtë para një viti: Memory lives, freedom wins, pra, Kujtesa jeton, liria fiton.
Ju faleminderit për pjesëmarrjen dhe vëmendjen!






