Kulla për Shiroka-Pulën: Vjen nga një familje shkodrane, është katolike kjo merr rëndësi pas akuzave në Hagë për krime ndaj katolikëve në Kosovë

- Advertisement -

Drejtori i Global Crisis Group, Ilir Kulla, ka komentuar zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës presidente të Kosovës, duke vlerësuar profilin e saj dhe mundësinë që ajo të kontribuojë në forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të vendit.

Në emisionin “Matrix”, të moderuar nga Mehmet Kalisi, Kulla ka thënë se Shiroka-Pula është një figurë që mund të përfaqësojë të gjitha palët, ndërsa është ndalur edhe te përkatësia e saj katolike dhe prejardhja familjare nga Shkodra.

“Zonja presidente është një figurë e mirë, një figurë teknike, do të thosha, i përfaqëson të gjitha palët. Është edhe katolike, gjë që është shumë e rëndësishme për Kosovën, që të ecë rrugës drejt BE-së, që të ketë një presidente katolike. Aq më tepër, kur një pjesë e akuzave në Hagë ishte se janë kryer krime kundër katolikëve në Kosovë. Kjo është edhe më e rëndësishme në këtë moment”, ka thënë Kulla.

Ai ka vlerësuar edhe prejardhjen e presidentes, duke përmendur lidhjet e saj me Shkodrën dhe kontributin e familjes së saj në fusha të ndryshme.

“Është me origjinë nga Shqipëria dhe vjen nga një familje shumë e madhe nga Shkodra, që ka nxjerrë artistë, poetë e biznesmenë. I urojmë suksese, edhe pse do ta ketë pak të vështirë”, ka deklaruar ai.

Kulla ka theksuar se, përtej profilit të presidentes, rëndësi të veçantë ka edhe situata politike dhe ekonomike në Kosovë, si dhe nevoja që institucionet të funksionojnë në mënyrë të qëndrueshme.

“Konfigurimi i situatës ekonomike dhe politike të Kosovës pas këtij momenti është shumë më i rëndësishëm, sepse institucionet duhet të jenë funksionale. Kësaj zonje do t’i duhet, paradoksalisht, të bëjë edhe detyrën e presidentes së shtetit, por edhe diplomacinë e kryetarit të shtetit në botë, në mënyrë që të rikuperohen edhe ato avantazhe që, padrejtësisht, gjatë këtij hendikepi dyvjeçar, Kosova i humbi në marrëdhëniet ndërkombëtare”, ka thënë Kulla.

Ai ka sugjeruar që një nga prioritetet e presidentes së re të jetë angazhimi për sigurimin e njohjeve të reja për Kosovën, duke shfrytëzuar edhe mundësitë për forcimin e raporteve me shtetet që ende nuk e njohin pavarësinë e saj.

“Do t’i sugjeroja që prioritet i saj të jenë njohjet e reja të Kosovës dhe të vazhdojë pikërisht duke shfrytëzuar faktin se ajo është katolike. Edhe në botën katolike, nëpërmjet Vatikanit, mund të ndryshojë raportet me disa vende që nuk na njohin, e sidomos me vendet katolike, duke filluar nga Spanja”, ka deklaruar Kulla.

Sipas tij, angazhimi diplomatik i presidentes Shiroka-Pula mund të jetë i rëndësishëm në përpjekjet për të përmirësuar marrëdhëniet ndërkombëtare dhe për të zgjeruar numrin e shteteve që e njohin Kosovën.

Të ngjashme

Të fundit