Eksperti Ilir Kulla ka vlerësuar se Marrëveshja e Ohrit ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimet politike të Maqedonisë së Veriut dhe në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian.
Në emisionin “Matrix” në Tëvë1, Kulla ka thënë se Marrëveshja e Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të armatosur të vitit 2001, në tërësinë e saj ka rezultuar e suksesshme, pavarësisht dobësive që mund të ketë pasur gjatë zbatimit.
“Ndoshta edhe pas ngjarjeve të dhimbshme që ndodhën në Kosovë e në Bosnjë, ata që ishin në krye të shtetit të Maqedonisë, por edhe ata që ishin në krye të shqiptarëve, qofshin forca politike apo UÇK-ja, u treguan njerëz të arsyeshëm dhe arritën që të sigurojnë një paqe me një marrëveshje e cila ka rezultuar e suksesshme në tërësinë e vet deri tani”, ka thënë Kulla.
Sipas tij, një meritë e veçantë e Marrëveshjes së Ohrit është fakti se ajo ka kontribuar në krijimin e kushteve që Maqedonia e Veriut të avancojë në proceset euroatlantike.
25-vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, Kulla ka thënë se arritja më e madhe e shqiptarëve në Maqedoni dhe komuniteteve tjera është, anëtarësimi i Maqedonisë si anëtar me të drejta të plota në NATO.
“Nëse sot Maqedonia është në pragun e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, një meritë të veçantë e ka ajo marrëveshje e nënshkruar një çerek shekulli më përpara”, ka deklaruar ai.
Kulla ka folur edhe për procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar atë si një proces historik, por jo të thjeshtë.
Ai ka theksuar se jo të gjithë fqinjët janë njësoj optimistë për avancimin e vendit drejt BE-së, ndërsa ka vlerësuar se një rol të rëndësishëm në këtë proces do ta kenë të rinjtë.
“Procesi historik i anëtarësimit në NATO është përmbyllur dhe ka qenë një proces vërtet i vështirë. Tani jemi në një proces tjetër historik, që është procesi që e çon këtë vend drejt anëtarësimit në BE. Ky nuk është një proces kaq i thjeshtë, pasi jo të gjithë fqinjët janë kaq optimistë për ta ndihmuar këtë vend t’i bashkohet familjes evropiane. Kuptohet, secili ka problematikat e veta, por më e rëndësishmja është se ky është një proces që në dorë do ta marrin të rinjtë. Sa më shumë që të rinjtë ta hapin mendjen, të dialogojnë dhe të punojnë, aq më shumë ata do të jenë faktor”, është shprehur Kulla.
Ai ka shtuar se, pavarësisht problemeve që ende mbeten për t’u zgjidhur, ekziston një dëshirë e madhe në vend për të përshpejtuar rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Kulla është shprehur optimist se Maqedonia e Veriut mund të bëhet pjesë e BE-së në vitet e ardhshme.
“Nuk mund të mohojmë që ende ka shumë problematika për t’u zgjidhur, por nuk mund të mohojmë as faktin se ekziston një dëshirë e madhe e të gjithë vendit për të shkuar sa më shpejt drejt BE-së. A do të ndodhë kjo gjatë pesë viteve të ardhshme? Unë shpresoj që të ndodhë. Shpresoj që në 30-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, Maqedonia të jetë një vend i BE-së”, ka përfunduar ai.






