Analisti Imer Mushkolaj ka vlerësuar se zhvillimet rreth kthimit në rishqyrtim të Ligjit për Dhomat e Specializuara mund të lidhen me një betejë të brendshme politike në Partinë Demokratike të Kosovës.
Në Debat Plus në TV Dukagjini, Mushkolaj ka ngritur dyshime se ligji mund të jetë përdorur si kartë elektorale në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Kjo çka ka ndodhur, për mua është një çështje beteje brenda PDK-së. Se sa që diçka tjetër. Në fakt tu e pas parasysh kthimin e ligjit në Kuvend, atëherë ne mundemi të dyshojmë, që ndoshta qëllimi ka qenë të mos votohet dhe të shërbejë si kartë elektorale në zgjedhjet e jashtëzakonshme… thjesht e kanë krijuar një ligj aty, nuk kanë prit që votohet, shkojmë në zgjedhje, e shfrytëzojmë si betejë politike, partiake kundër partive tjera, në këtë rast kundër LVV dhe LDK”, ka deklaruar ai.
Ai ka rikujtuar se PDK-ja kishte këmbëngulur që ligji duhej të miratohej, duke paralajmëruar pasoja, nëse kjo nuk ndodhte.
Mushkolaj ka kërkuar nga PDK-ja të sqarojë se çfarë ka ndryshuar nga 6 tetori, kur ligji u miratua në Kuvend, deri te kërkesa e mëvonshme për kthimin e tij në rishqyrtim.
“Ky është një ligj, për të cilin PDK na ka thënë që duhet gjithqysh të votohet, përndryshe nuk e dimë se çka do të ndodhë ose të ndodh diçka keq. Ky ligj është votuar edhe prej PDK e LVV, dhe ka shërbyer si kartë pazari për zgjedhjen e presidentit. PDK duhet me na tregu se çka ka ndryshuar prej datës 6 tetor kur është miratuar ligji. Këtë nuk e ka sqaruar askush prej PDK”, ka theksuar Mushkolaj.






