Kryeziu: Kuvendi duhet të konstituohet, pastaj të shpërndahet dhe të shkohet në zgjedhje

- Advertisement -

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, tha se 7 gushti ka qenë afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, Kryeziu tha se pas kësaj date nuk ekziston më një afat kushtetues, ndërsa afatet e tjera janë politike.

“Deri më 7 gusht ka qenë afati kushtetues dhe mbështetur nga një vendim aktgjykimi i gjykatës kushtetuese që domosdoshmërisht domethënë brenda 30 ditësh të konstituohet parlamenti. Pas 7 gushtit tash kemi afate politike të improvizuara nga subjektet politike. Përndryshe do të thotë nuk ka afat më kushtetues për konstituimin e parlamentit. Konstituimi i parlamentit duhet të bëhet patjetër vetëm të cilën e ka vetëm një detyrë për shpërndarjen e parlamentit dhe për shkuar në zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme. E konstituojnë parlamentin, e konsituojnë kryetarin, nënkryetarët dhe pastaj të sipas mendimit tim domethënë pastaj të shpërndahet dhe të shkohen në zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha Kryeziu.

Ai shtoi se pa konstituimin e Kuvendit nuk sheh bazë për veprime të tjera, përveç mundësisë që ndonjë subjekt politik të kërkojë sqarim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2025.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet më 9 shtator.

Kështu ka konfirmuar ditën e djeshme kryesuesi i seancës, Avni Dehari.

“Si Kryesues i Seancës Konstitutive e kam parë si një lajm të mirë arritjen e marrëveshjes ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Edhe pse ende nuk ka qartësi të plotë, nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për konstituimin e të gjitha institucioneve, kam vendosur që vazhdimin e Seancës Konstitutive ta thërras më 9 shtator, në orën 11:00. Deri atëherë pres që kjo marrëveshje të shoqërohet me përgjegjësi konkrete dhe me gatishmëri të deputetëve për t’i përmbushur detyrimet e tyre kushtetuese. Kosova nuk ka nevojë për një tjetër zvarritje, as për një tjetër krizë dhe aq më pak për një proces të ri zgjedhor” ka shkruar Dehari.

Por, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, konstituimi i Kuvendit duhet të përmbyllet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve që ishte data 7 gusht.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për konstituuimin e Kuvendit duke theksuar se duhet një marrëveshje paraprake për çështjen e Presidentit.

Nga ky subjekt politik(LVV) madje deklaruar se koha prej 30 ditësh nis nga seanca e parë duke bërë që edhe ky afat i vendosur nga vetë Lëvizja Vetëvendosje të përfundojë sonte në orën 23:59.

Të ngjashme

Të fundit