Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka zhvilluar sot takimin e tij të parë me prokurorët e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, pas marrjes së detyrës, ku ka vënë theksin te bashkëpunimi, profesionalizmi dhe përkushtimi në ushtrimin e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Gjatë takimit, Gashi falënderoi prokurorët për angazhimin e tyre profesional, duke theksuar rëndësinë e koordinimit dhe punës së përbashkët.
“Ju falënderoj për angazhimin tuaj profesional. Bashkëpunimi, koordinimi dhe përkushtimi i përbashkët janë thelbësore në ushtrimin e përgjegjësive tona kushtetuese dhe ligjore”, u shpreh Kryeprokurori Gashi.
Ai theksoi se puna e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit duhet të udhëhiqet nga standarde të larta profesionale.
“Puna e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit duhet të karakterizohet nga profesionalizmi, integriteti, efikasiteti dhe llogaridhënia, me synim forcimin e sundimit të ligjit dhe rritjen e besimit të qytetarëve në sistemin prokurorial”, tha Gashi.
Në përmbyllje të takimit, Kryeprokurori i Shtetit shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm me të gjithë prokurorët, duke theksuar se rezultatet mund të arrihen vetëm përmes angazhimit të përbashkët.
“Vetëm përmes angazhimit të përbashkët mund të arrijmë rezultatet e pritura në përmbushjen e mandatit kushtetues dhe ligjor të institucionit”, shtoi ai






