Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me protestat e zhvilluara në Shqipëri, duke dënuar aktet e dhunës, zjarrvëniet dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private.
Në mesazhin e tij, Peleshi thekson se sulmet ndaj institucioneve nuk kanë lidhje me të drejtën e studentëve dhe të rinjve për të protestuar dhe për të kërkuar më shumë të drejta e mundësi.
“Dhuna nuk ka vend në demokraci!”, shkruan Peleshi, duke iu referuar edhe qëndrimit të Komisionit Evropian, i cili dënon aktet e dhunës gjatë protestave në Shqipëri.
Kreu i Kuvendit nënvizon se të rinjtë janë e tashmja dhe e ardhmja e vendit dhe se ata kanë të drejtë të kërkojnë një të ardhme më të mirë, me mundësi të barabarta me bashkëmoshatarët e tyre në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, sipas tij, dhuna nuk është rruga për të arritur ndryshimin.
Peleshi bën thirrje për dialog, mirëkuptim dhe dëgjim të ndërsjellë, duke theksuar se kalimi i kohës e bën gjithnjë e më të vështirë komunikimin mes palëve.
“Le të ulemi me njëri-tjetrin. Pa paragjykim, pa mllef. Çdo orë që kalon e bën më të vështirë dialogun”, shprehet ai.
“T’i japim dorën njëri-tjetrit SOT! Jemi për një qëllim. Për Shqipërinë”.






