Presidenti rus, Vladimir Putin dhe ai serb, Aleksandar Vuçiq, këtë të diel zhvilluan një telefonatë për të diskutuar rreth çështjeve ekonomike, situatës në Ukrainë e Kosovë.
Në një komunikatë të lëshuar nga Kremlini u zyrtarizua edhe marrëveshja për gazin rus në Serbi, por, pjesë e diskutimit të Putin e Vuçiq ishte edhe Kosova, por pa dhënë detaje se për çka saktësisht kanë folur.
”U ra dakord, në veçanti, që Rusia të vazhdojë të furnizojë Serbinë me gaz natyror të pandërprerë. Shkëmbimi i pikëpamjeve vazhdoi për një sërë temash ndërkombëtare – situatën në Ukrainë dhe zhvillimet rreth Kosovës”, njoftoi Kremlini në një deklaratë të publikuar sot.
Pas marrëveshjes për gazin rus, Vuçiq tha se ai shpreson që Serbia “do të marrë një çmim të ndershëm” për këtë.
Udhëheqësit rajonalë kishin paralajmëruar më herët se Moska mund të bindë Serbinë të minojë pavarësinë e Kosovës dhe shteteve të ndryshme të Ballkanit Perëndimor, pasi BE-ja dhe NATO-ja joshën shtetet e Ballkanit që t’i bashkohen Aleancës së Mbrojtjes.
Kujtojmë se Kosova është shteti i parë në Ballkan që i është bashkuar sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian kundër Rusisë pasi kjo e fundit nisi luftën në Ukrainë.