18.1 C
New York
Wednesday, May 8, 2024

Buy now

Krasniqi takon kryetarët e Degëve të PDK-së, flasin për zhvillimet e fundit në vend

- Advertisement -

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka takuar sot kryetarët e Degëve të PDK-së, për të diskutuar me ta për zhvillimet e fundit politike në vend, për vizitën zyrtare që do të ketë javën e ardhshme në Washington dhe në Bruksel si dhe për zgjedhjet në Rininë Demokratike të Kosovës.

Kryetarët e Degëve e kanë informuar kryetarin e PDK-së për procesin e filluar për zgjedhjet e Rinisë Demokratike të Kosovës, ndërsa kanë theksuar se platforma e lansuar për regjistrimin e të rinjve për tu bërë pjesë e procesit zgjedhor rinia2022.org po tregohet shumë efikase, ku të rinjtë e të gjitha qyteteve të Kosovës do të trajtohen barabartë në garë.

Me këtë rast, kreu i PDK-së Memli Krasniqi tha se qëllimi i platformës rinia2022.org është për të siguruar hapësirën e nevojshme për të gjithë të rinjtë e Kosovës që të bëhen pjesë e procesit zgjedhor, nga ku pastaj do të mund të adresojnë dhe zbatojnë idetë e tyre.

Kryetari Krasniqi tha se PDK është e dëshmuar për hapësirën që u ka dhënë në vazhdimësi të rinjve duke theksuar se sot në qeverisjet lokale të udhëhequra nga PDK, shumica e drejtorive udhëhiqen nga të reja dhe të rinj të Partisë Demokratike të Kosovës.

Në këtë takim me kryetarët e Degëve, kryetari Krasniqi i ka informuar ata edhe për qëndrimet politike rreth zhvillimeve të fundit, ndërsa i ka njoftuar ata edhe për vizitën zyrtare që do ta zhvillojë javën e ardhshme në Washington dhe në Bruksel.

Kreu i PDK-së tha se gjatë qëndrimit në dy kryeqendrat botërore do të ketë takime me zyrtarë të niveleve të larta të diplomacisë dhe politikës amerikane e evropiane.

Kryetari Krasniqi tha se të hënën dhe të martën do të zhvillojë takime në Bruksel me një sërë euro-parlamentarësh, por po ashtu do të takojë edhe ndërmjetësin e dialogut, Miroslav Lajçak.

Më pas, ai tha se do të vazhdojë vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku për tri ditë rresht në Washington DC do të takojë përfaqësues në Kongres, në dy dhomat, Senat dhe Dhomën e Përfaqësueseve.

Po ashtu, kryetari Krasniqi tha se në Washington do të takohet edhe me të dërguarin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ndërsa do të ketë takim edhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

“E konsideroj tepër të rëndësishme këtë vizitë, veçanërisht në kohën që po ndodh sepse raportet tona me SHBA kanë rëndësi të veçantë. Vërtet është shqetësim i madh fakti që tashmë duket qartë që raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë marrë një goditje nga qasja dhe sjellja e Qeverisë aktuale. Unë atje do të shpreh qëndrimet e PDK-së sa i përket zhvillimeve aktuale politike në vend dhe rajonin tonë. Por pa dyshim se interesat dhe objektivat kryesore të Kosovës do të jenë si pikë kryesore e diskutimeve që ne do të kemi”, tha kryetari Krasniqi

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit