Memli Krasniqi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, pas homazheve që kanë bërë sot në Prekaz, ka ka shkruar se emrat e tyre janë më të mëdhenj se koha dhe më të fuqishëm se çdo dhimbje.
I pari i PDK-së ka shkruar edhe se Prekazi është altari i lirisë, themeli i shtetit dhe zemra e kombit.
“Sërish vjen marsi dhe ne ndërrojmë mot – por vetëm ata nuk plaken kurrë! 27 vite më parë, më 5, 6 dhe 7 mars, në Prekazin e shenjtë, qëndresa u bë betim, flijimi u bë udhërrëfim, e familja Jashari u ngrit në përjetësi! Nga nëna Zahide dhe baca Shaban, nga Hamza te Ademi, nga Kushtrimi te daja Osë – burra e gra, fëmijë e pleq, një familje e tërë nuk u përkul, por qëndroi e pathyeshme, duke i kënduar lirisë edhe në çastet e fundit. Ata e dinin dhe besonin: Liria nuk dhurohet dhe as nuk blihet – ajo fitohet me gjak dhe me sakrificë”, ka thënë ai.
Krasniqi ka theksuar se pas 27 vitesh, emrat e tyre janë më të mëdhenj se koha, më të fuqishëm se çdo dhembje, më të shndritshëm se çdo yll.
” Ata janë aty – të përjetshëm – në historinë tonë, në frymën e kësaj toke të lirë, në gjakun që rrjedh në damarët e çdo shqiptari. Prekazi nuk është thjesht një vend – është altari i lirisë, themeli i shtetit, zemra e kombit! Sepse, siç ka thënë vetë komandanti legjendar: Shumë erëra kanë kaluar, por lisit rrënjët s’kanë mundur t’ia shkulin. Kosova është ai lis i pamposhtur që vazhdon të rritet, të zgjerojë degët dhe të ngjitet në lartësi të reja – çdo ditë, çdo vit, deri në përjetësi. Lavdi e përjetshme komandantit legjendar Adem Jashari. Lavdi familjes heroike Jashari. Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit”, shkruan Krasniqi