Sot shënon 25-vjetori i masakrës së Krushës së Madhe.
Këtë ditë e ka kujtuar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, shkruan lajmi.net.
“Sot, në 25 vjetorin e fillimit të masakrës së Krushës së Madhe, me zemra të rënduara kujtojmë 243 civilët e pafajshëm shqiptarë që u vranë brutalisht nga forcat kriminale dhe gjenocidale serbe më 1999”, ka thënë Krasniqi përmes një postimi.
“Me gjithë kalimin e kohës, asnjë nga autorët nuk ka dalë para drejtësisë për këtë krim makabër. Kjo padrejtësi e madhe vazhdon të injoroj thirrjet dëshpëruese të familjeve të të vrarëve dhe mbarë popullit tonë”, ka shtuar ai, duke theksuar se nuk duhet lejuar që sakrificat e popullit të harrohen dhe shpërfillen.
“Sot dhe përgjithmonë, do të jemi në krahë dhe solidaritet të plotë me familjet tona që kanë humbur më të dashurit e tyre. Dhembja e juaj është dhembja e jonë. Lavdi martirëve të Krushës së Madhe”, përfundoi ai.